Po rrezikohet shëndeti fizik e mendor i fëmijëve


Një nxënës që është i përfshirë në aktivitete sportive ka më shumë gjasa të mos vuaj nga stresi. Prandaj, rëndësia e edukatës fizike në shkollë nuk qëndron vetëm në dobitë e aktivitetit fizik, por edhe në përfitimet e tjera, sidomos në arritjen e vetëbesimit

Në të kaluarën fëmijët e shfrytëzonin kohën e lirë në ambiente të hapura, me aktivitete fizike e lojëra të ndryshme. Kjo mënyrë e të jetuarit krijonte parakushte për një shëndet stabil, si në pikëpamje fizike ashtu edhe në atë psikike, shkruan gazeta KOHA. Kjo ishte edhe arsyeja që fëmijët kishin zhvillim harmonik të trupit, pa deformime dhe çrregullime të tjera anatomike.
Por, si është sot gjendja me shëndetin e fëmijëve?

Mënyra se si fëmijët sot jetojnë, lë shumë hapësirë për devijime të shumta, në radhë të parë të natyrës fizike. Qëndrimi gjatë kohë para kompjuterit, abstenimi nga aktiviteti fizik, kequshqyerja, ose ushqimi i gabueshëm, kanë bërë që fëmijët sot në të shumtën e rasteve të duken me pamje që nuk korrespondon me moshën e atyre. Zakonisht ata duken të kërrusur, të ngathtë dhe jorrezistues ndaj viruseve të ndryshme sezonale që përhapen. Madje edhe kur shoqërohen me moshatarët e tyre, lojërat kthehen me kompjuter. Por, sa mendohet që kjo mënyrë e gabuar e të jetuarit të korrigjohet, në mënyrë që fëmijët të gëzojnë një zhvillim normal shëndetësor. Sipas mjekëve, deformimet trupore të fëmijëve përbëhen prej dy faktorëve, njëri është faktori gjenetik dhe e i dyti – përdorimi pa limit i pajisjeve teknologjike.
“Dëmtimet trupore si pasojë e faktori gjenetik është i predisponuar të zgjerohet edhe më shumë nga përdorimi i tepërt i telefonave, kompjuterëve, etj. Shqetësues është fakti se në periudhën dhjetë vjeçare numri i defekteve trupore te fëmijët është shumëfishuar. Kjo është edhe arsyeja e vizitave mjekësore nëpër shkolla, të njohura si kontrolle sistematike, ku edhe detektohen problemet akute, me të cilat pastaj duhet të merret sistemi shëndetësor. Rekomandohet që sëmundjet dhe komplikimet e ndryshme të parandalohen duke i kontrolluar fëmijët me kohë, por të gjitha këto të shoqëruara me aktivitete fizike”, thotë për gazetën KOHA ortopedi Ismalaki Klenja. Disa nga përfitimet e shumta që vijnë prej edukatës fizike ndërlidhen me mbajtjen e peshës së shëndetshme, parandalimin e sëmundjeve kronike dhe mësimin e shkathtësive të nevojshme. Rade Ilieski, mësues i edukatës fizike, thotë se stili i jetesës moderne bën që fëmijët tanë të mos jenë fizikisht aktiv.
“Qëndrimi para kompjuterit ose tabletit shkakton deformim të shpinës, shtrembërime dhe deformime të ndryshme që nga mosha më e hershme. Nga ana tjetër, fëmijët vuajnë edhe nga problemet me sy, për shkak të varshmërisë nga monitori i kompjuterit ose televizorit. Për pasojat e shkaktuara nga rrezatimi prej tyre unë nuk dua të flas, është e qartë. Prandaj, si një profesor i vjetër i edukimit fizik dhe shëndetësor, por edhe si një trajner me kohë të gjatë të notit, sugjeroj që fëmijët të merren me më shumë sporte, dhe sidomos me notin. Noti, pozitivisht ndikon në zhvillimin e përgjithshëm të individit, aktivizon sistemin e frymëmarrjes dhe sistemin kardiovaskular, vë në lëvizje krejt trupin dhe forcon të gjithë muskujt”, thotë Ilieski.
Mjekët, por edhe mësuesit mendoj se fondi prej tri orëve i edukimit fizik dhe shëndetësor që zakonisht praktikohet në shkollat tona, nuk është i mjaftueshëm. Ata rekomandojnë që ky fond të rritet, të paktën pesë orë në javë, në mënyrë që ushtrimet në sallë dhe në oborr të shkollës të ndikojnë në mbajtjen e kondicionit fizik e mendor të fëmijëve. Një nxënës që është i përfshirë në aktivitete sportive ka më shumë gjasa të mos vuaj nga stresi. Prandaj, rëndësia e edukatës fizike në shkollë nuk qëndron vetëm në dobitë e aktivitetit fizik, por edhe në përfitimet e tjera, sidomos në arritjen e vetëbesimit. (koha.mk)


Baby Boo