Plani i Nju Jorkut për gjurmim masiv të COVID-19


Miliarderi nga Nju Jorku Michael Bloomberg do të ndihmojë shtetin e tij që të krijojë dhe financiojë një program për të gjurmuar infektimin me koronavirusin, si pjesë e strategjisë për të frenuar përhapjen.

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo e bëri të njohur nismën të mërkurën, duke thënë se do të zhvillohet në bashkëpunim me shtetet fqinje Nju Xhersi dhe Kenektikat. Programi, tha ai, do të futet në zbatim brenda disa javëve.

Andrew Cuomo
Andrew Cuomo
“Zoti Bloomberg do të hartojë programin dhe trajnimin si dhe do të kontribuojë financiarisht”, tha guvernatori Cuomo për zotin Bloomberg i cili ka shërbyer si kryebashkiak i qytetit nga viti 2002 deri në vitin 2013.“Ai do të formojë një organizatë që mund të ndihmojë në punësimin e njerëzve.”

Mes partnerëve të tjerë në këtë nismë janë edhe Universiteti Johns Hopkins si dhe organizata shëndetësore globale Vital Strategies.

Michael Bloomberg
Michael Bloomberg
Zoti Bloomberg, i cili shpenzoi mbi një miliard dollarë nga pasuriae tij në fillim të vitit në një përpjekje të dështuar për të fituar emërimin e Partisë Demokrate për kandidaturën presidenciale, është një filantrop i njohur. Ai ka dhuruar mbi 8 miliardë dollarë për të financuar kauza të tilla si veprime për klimën dhe kontrollin e armëve.

Zyra e guvernatorit tha se zoti Bloomberg po bën një investim mbi 10 milionë dollarë në nismën për të gjurmuar koronavirusin. Nju Jorku po ashtu ka një fond federal prej 1.3 miliard dollarë për gjurmimin e virusit vdekjeprurës.

“Ai ka njohuri të jashtëzakonshme në qeveri si edhe nga këndëvështrimi i biznesit në sektorin privat”,tha guvernatori Cuomo, duke theksuar bizneset e zotit Bloomberg në Kinë dhe Evropë që janë mbyllur dhe rihapur si rezultat i problemeve me koronavirusin.

Shteti i Nju Jorkut ka konfirmuar mbi një çerek milion njerëz të infektuar me virusin COVID-19. Më shumë se 15 mijë njerëz kanë humbur jetën, por guvernatori tha të mërkurën se është ndalur rritja e numrit të vdekjeve dhe se ato po bien ngadalë.

Guvernatori tha se përpjekja për të dyfishuar kapacitetet për testim nga 20 mijë në 40 mijë individë në ditë, përfshirë nismën për gjurmimin masiv të virusit, do të ndihmojë Nju Jorkun që të kalojë në fazën e transmetimit të ulët dhe përfundimisht, të kalohet në rihapjen e ekonomisë.

Për sa i përket nismës, zoti Bloomberg ka në plan të fillojë me numrin aktual prej 225 punonjësish që do të zgjerohet në disa mijëra. Guvernatori Cuomo tha se universitetet e Nju Jorkut kanë rreth 35 mijë studentë të mjekësisë që do të jenë një burim i rëndësishëm për rekrutimin e pjestarëve për nismën për gjurmimin e koronavirusit.

“Do të duhet të punësojmë më shumë njerëz për këtë program i cili do të zgjerohet”, tha zoti Cuomo duke theksuar se numri i punonjësve do të jetë në përpjesëtim me ritmet e infeksionit.

Aktualisht, pjesa veriore e Nju Jorkut ka vetëm 7 për qind të infeskioneve në vend, ndërsa qyteti i Nju Jorkut dhe zonat përreth llogarisin rreth 93 përqind të të infektuarve.

Baby Boo