Përsëri rritje e të infektuarve të rinj nga Kovid-19, të respektohen rekomandimet


Numri i të infektuarve të rinj me koronavirus në vend përsëri është në rritje. Dje janë regjistruar 29 raste të reja, kështu që numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve që nga fillimi i epidemisë ka arritur në 1,723, numri i vdekjeve është 95, janë shëruar 1,235, ndërsa janë 393 raste aktive.

Numër më të madh të të diagnostikuarve ka në Shkup – 588 dhe 138 raste aktive, Kumanova – 411 dhe 47 raste aktive, Prilep – 190 dhe 62 raste aktive, Tetovë – 126 dhe 63 raste aktive.

Masat kufizuese janë duke u lehtësuar, filluan me punë mollet (çdo ditë përveç të dielës, nga ora 10 deri në orën 18:00, por nuk lejohet pranimi i mysafirëve në restorante dhe kafene, përveçse përmes sistemit të porosisë ose dorëzimit), bastoret sportive, autoshkollat, ordinancat stomatologjike … Qeveria pritet të  miratojë një plan javën e ardhshme për hapjen e objekteve hotelierike, por kjo do të varet nga situata epidemiologjike dhe respektimi i masave.

Deri më tani ende nuk mendohet për shkurtimin e orës policore, megjithëse dje Gjykata Kushtetuese miratoi vendim për ndërprerjen e realizimit të akteve ose veprimeve të veçanta të cilat janë marrë në bazë të Vendimit për regjim të veçantë të lëvizjes për më të rinjtë se 18 vjet dhe më të moshuarit se 67 vjet.

Me këtë, këta persona do të mund të lëvizin si edhe qytetarët tjerë, prej orës 5 deri në orën 19. Deri më tani më të moshuarit mund të dilnin vetëm në periudhën prej orës 5 deri në orën 12, ndërsa të miturit prej orës 13 deri në orën 19. Qeveria e solli këtë Vendim me qëllim që të ndahen këto dy grupe të qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në konferencë për shtyp theksoi se skriningu në kopshte edhe zyrtarisht ka filluar. Megjithatë, siç shtoi, derisa nuk janë të sigurt se të punësuarit janë negativë, nuk do të merret vendim të njëjtat të hapen.

Ai theksoi se dje janë bërë edhe përgatitjet përfundimtare, ndërsa prej sot tashmë janë rekrutuar të punësuarit në kopshte të cilët do të testohen. Sipas ministrit, hapja e kopshteve ende paraqet rrezik, sepse mbetet fjalë për një grup të ndjeshëm, gjegjësisht për fëmijët e vegjël.

“Kopshtet duhet të hapen të gjitha në një kohë sepse është me rëndësi edhe për kthimin e qytetarëve në punë. Nuk mund t’i hapim kopshtet një nga një. Sipas vlerësimit të tanishëm të kapaciteteve, skriningu duhej të zgjaste dhjetë ditë, duke e pasur parasysh numrin e përgjithshëm të të punësuarve në kopshte, megjithatë do të analizohet si do të zhvillohet skriningu ditëve në vijim, ndërsa do ta kemi edhe parasysh mundësinë ta zhvillojmë kapacitetin e testeve për sa i përket renditjes në më shumë laboratorë. Le të fillojë sot dhe do ta shohim në ditët në vijim. Mendoj se kemi shanse serioze për ta rritur numrin e testeve që do të bëheshin brenda një dite dhe për të përfunduar brenda një kohe të shkurtër”, shtoi Filipçe.

Koronavirusi nuk do të zhduket, thonë ekspertët shëndetësorë dhe zyrtarët. Prandaj, qytetarët duhet të vazhdojnë t’i ndjekin rekomandimet për mbrojtje nga koronavirusi, të cilat përfshijnë mbajtjen e detyrueshme të pajisjeve mbrojtëse (maskë, shall) me të cilat do ta keni të mbuluar gojën dhe hundën, larjen e rregullt të duarve ose dezinfektimin e tyre dhe mbajtjen e një distance prej dy metrash.

Baby Boo