Përse qeveria s’mundet ta ndalojë emigrimin e mjekëve dhe infermierëve?


Nga Laert Miraku

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shteti shqiptar dhe taksapaguesit shqiptarë financojnë për studentët e mjekësisë, por në fund pasi ata diplomohen ikin në Gjermani. Në Kongresi e Shëndetësisë që po mbahet sot dhe nesër në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Rama theksoi se shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Mes të tjerash kryeministri u kujdes që të sqaronte se “ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.”

Sa herë diskutohet për emigrimin e mjekëve dhe infermierëve njerëzit e qeverisë dhe “opinionistë” me favore pranë “oborrit të qeverisë” e kanë në “majë të gjuhës” fjalinë“ se ky fenomeni i largimit të bluzave të bardha nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por prek të gjitha vendet e botës. Nga të dhënat zyrtare të bëra të ditura nga Dhoma Federale e Mjekëve në Gjermani për vitin 2018, Shqipëria renditej e dyta në Ballkan për numrin e mjekëve që kanë emigruar dhe aktualisht mbajnë veshur bluzën e bardhë në kujdesin shëndetësor gjerman. E gjitha kjo solli krijimin e boshllëqeve në shumë spitale rajonale dhe mungesë mjekësh në disa fusha. Sipas këtyre të dhënave mbi arratinë e mjekëve nga Ballkani , kryeson Serbia që humbi 1128 mjekë, të cilët u larguan drejt Gjermanisë. Më pas trendi ndiqet në vend të dytë nga Shqipëria me 630 mjekë për të cilët Ministria e Shëndetësisë nuk jep asnjë hartë zyrtare se cilët janë spitalet që mbetën pa mjekë. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në vend të tretë me 533 mjekë të ikur , Maqedonia e Veriut me 470 mjekë, Kosova me 292 mjekë dhe në fund fqinji ynë, Mali i Zi me 40 mjekë të larguar.

Cilat janë arsyet përse mjekët dhe infermierët kërkojnë të emigrojnë

Në varësi të profesionit, shkaqet kryesore janë të ndryshme, për mjeket serioziteti në punë, ndërsa për infermierët paga. Shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës. Edhe në Kosovë është e njëjta gjë. As rritja e pagave si duket nuk po e ndalë eksodin e mjekëve nga sektori publik drejt atij privat apo spitaleve jashtë Kosovës. Vetëm në më pak se 2 muaj nga Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës janë larguar 36 specialistë.

Në një anketim të bërë nga Shoqata ‘Together For Life’ në vitin 2018 flitet për shifra të ‘frikshme’, pasi 78% e mjekëve tanë pohojnë se mund të largohen nga Shqipëria. Ndërkohë për vitin 2022, Top Channel raporton se 180 mjekë kërkuan certifikatën e sjelljes së mirë për emigrim.

Vetëm në vitin 2022, 205 mjekë të rinj ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësorë e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të vazhduar të punojnë në spitalet privat në vend ku u ofruan paga shumë më të mira. Për stafin e infermierëve situata është me e rënduar, ku përgjatë vitit 2022 nga Kosova vendosën që të shkojnë drejt shteteve evropiane për të punuar mbi 630 infermierë.

Situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar. Financimi i sistemit, menaxhimi i sistemit dhe mungesa e sigurisë financiare rezultojnë të jenë shkaqet të tjera që ndikojnë në vendimmarrjen e mjekëve për t’u larguar nga vendi. Mjekëve mendojnë se besimi i tyre në sistemin shëndetësor nuk do të ndryshojë para se të largohen nga vendi.

Por përveç sigurisë në punë, dhe përsosjes profesionale , paga e ulët është motivi kryesor i ikjeve. Në një treg pune si Shqipëria, ku paga e një infermieri, me vjetërsi pune shkon nga 45 mijë lekë deri në 50 mijë lekë dhe ku për mjekët, paga mesatare është rreth 60 mijë lekë, vendet e Bashkimit Evropian mbeten një tokë e premtuar. Gjermania dhe vende të tjera i paguajnë mjekët dhe infermierët me rroga disa herë më të larta.

Ekspertët e shëndetësisë fajësojnë sistemin në përgjithësi si shkaktar kryesor, duke u nisur nga pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës për punësim në Shqipëri dhe Kosovë, shto këtu edhe kërkesën e jashtëzakonshme për staf mjekësor në Gjermani, vendi që është ekonomia më e madhe në Evropë por që po përballet me plakje të popullsisë.

Masa e marrë nga qeveria për parandalimin e emigrimit të mjekëve dhe infermierëve

Në tetor të vitit të shkuar kreu i qeverisë Edi Rama tha se do u japin mbështetje kselenëtve që do të vazhdojnë shkollimin në Shqipëri. Financimi do jetë për nga 200 deri në 400 studentë, me pagë minimale 34 mijë lekë, të cilët në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite, si në degën e mjekësisë, degët prioritare apo edhe degë të tjera. Pas mbarimit të studimeve, ata do jenë të detyruar të punojnë në Shqipëri dhe pas tre vitesh do t’u jepet diploma dhe mund të largohen jashtë nëse do kenë dëshirë.

Ndërkohë dy ditë para se të bënte deklaratën për bllokimin e diplomave, Rama deklaronte. “Për fat të mirë sot nuk kemi mungesë mjekësh në Republikën e Shqipërisë, as mungesë infermierësh. Që ta dëgjojnë të gjithë me këtë rast, që të mos duket sikur qahem. Nuk kemi përkundrazi, kemi akoma në listë pritje mjekë dhe infermierë që presin të punësohen”.

Absurditeti i deklaratave kontradiktore brenda të njëjtës ditë është kur thotë se “Ne nuk mundet dot të furnizojmë me mjekë Gjermaninë. Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani, kur thoshin filmat e Kinostudios dhe na i merr. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kuptohet që prapë është tregu që vendos nuk ka diskutim. Ne nuk mund t’i ndalojmë”.

Në një kohë kur shteti shqiptar mungesa nuk ka sipas kryeministrit, atëherë natyrshëm lind pyetja se ku do të punojnë mbi 1000 të rinj që marrin diplomën në disiplinat e mjekësisë? Nëse nuk emigrojnë çfarë do të punojnë sepse kapacitetet e vendit kaq janë? Cila është politika e qeverisë shqiptare për degët universitare prioritare?

Kryeministri Edi Rama, sot, nga Kongresi i Shëndetësisë tha se, duke nisur nga 30 prilli, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus mbi pagën e tyre. Gjithashtu ai shtoi se kushtet e punës sot janë shumë më mirë, krahasuar me vite më parë, ndërsa theksoi se ka ende shumë punë për të bërë. Por a e frenon kjo ikjen e mjekëve.

Si e thamë dhe në fillim të shkrimit, arsyeja kryesore se përse largohen mjekët nuk është paga. Kjo ndoshta vjen prej faktit se shumica prej tyre janë të kënaqur nga paratë nën dorë që marrin në mënyre korruptive. Për korrupsionin në mjekësi flasin shumë mirë shqiptarët që e kanë hequr gjithçka nga xhepat e tyre për të shpëtuar apo përmirësuar shëndetin e familjarëve të tyre.

Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Si punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe qytetarët përgjatë këtyre 30 viteve tranzicion e dëshmojnë mirë se asnjë qeveri nuk ka hartuar dhe zbatuar për asnjë moment politika efikase për të çuar përpara e për tu bërë vend model në sistemin shëndetësor. Objektivi kryesor i çdo qeverie dhe vartësve të tyre ka qenë “të vjedhim sa më shumë sa jemi në pushtet, dhe të kapim çfarë të kapim kur na takon të jemi në opozitë”.

Edhe sistemi shëndetësor si të gjithë sektorët e tjerë është në degradim. Kjo për shumë arsye. Një mjek, infermier, apo profesionist e cilitdo sektor nuk dëshiron të largohet nga vendi. Por e sheh si të vetmen rrugë që t’i shpëtoj mjerimit.

Një profesionist ka nevojë për, kushte të mira pune, jo mbingarkesë oraresh, siguri për vendin e punës. Pension i sigurt dhe sigurime shëndetësore efikase. Mundësi që përmes pagës të blejnë një banesë. Mundësinë për të kërkuar dhe gjetur të drejtën. Siguri për jetën e tij dhe të familjarëve etj. Në këtë rast ndokush mund të pyesë: A i ofron shteti shqiptar këto? Të gjithë e dimë që jo.

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.

Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.

Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës.

Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme.

Censi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos këtë vit.

Me këto ritme shpopullimi rrezikojmë që pas 50 vitesh në Shqipëri të mos jetojnë më asnjë shqiptar. Për atë që ikën i fundit kemi një amanet: “Mos harro të fikësh dritën”.

Baby Boo