Kostoja e jetës më e lartë për rreth 4%


Inflacioni i matur përmes indeksit të kostos së jetesës dhe të çmimeve me pakicë në prill 2024, krahasuar me një muaj më parë është rritur për 0.7%, thonë nga Enti shtetëror i statistikave. Ndërkaq, indeksi i kostos së jetesës në prill 2024, krahasuar muajin e njëjtë të citit të kaluar, shënoi rritje prej 4.0%, dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 3.5% brenda një viti, tregojnë statistikat zyrtare.

“Rritja e inflacionit në prill krahasuar me muajin mars është rezultat i rritjes së kostos së jetesës në grupet e mëposhtme: transport me 2.8%, komunikime me 1.6%, ushqime dhe pije joalkoolike, veshmbathje dhe këpucë me 0.9%., rekreacioni dhe kultura, restorantet dhe hotelet me 0,6%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme me 0,4% dhe shëndeti me 0,2%. Ndërkaq ulje e kostos së jetesës në muajin e fundit është vërejtur në mobilieri, amvisëri dhe mirëmbajtje shtëpiake me 0.5% dhe banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 0.2%”, thonë nga Enti shtetëror i statistikave.

Një gjë dihet që deri në fund të qershorit sa të dihet rendimenti i të korrurave, çmimi i bukës nuk do të shtrenjtohet, thonë nga Oda e Agro-biznesit. Ndonëse në bursat botërore është ngritur çmimi i drithit, tani çmimi i bukës dhe produkteve të tjera të brumit nuk do të ndryshojë, thonë furrtarët.

“Nga prodhues të mëdhenj si Ukraina dhe Rusia nuk dihet se si do të zhvillohen korrjet atje për shkak të luftës, të cilat ndikojnë në bursë. Organizata e ushqimit dhe agrikulturës theksoi rritje të çmimit të drithit.

Presioni i madh që kemi është i një natyre tjetër dhe zgjat më shumë se një vit. Bëhet fjalë për burimet njerëzore, pra daljen e madhe të punëtorëve në vendet perëndimore dhe turistike si Greqia dhe Kroacia. Po ashtu edhe problemi me likuiditetin e kompanive që ballafaqohen me mungesë të mjete ve financiare”, u shpreh Goran Georgievski, Kryetar i Odës së Agro-biznesit.

Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave, indeksi i çmimeve të shërbimeve gastronomike në prill, krahasuar me muajin mars, është rritur për 2,5%. Krahasuar sipas grupeve të shërbimeve, një rritje është vërejtur në akomodimet e fjetjes me 13,5%. Indeksi i çmimeve të shërbimeve gastronomike në prill 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, është rritur me 5,9%. Indeksi kumulativ i çmimeve të shërbimeve hotelierike për periudhën janar – prill 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rritur me 6.2%, dhe krahasuar me dhjetorin 2023 është rritur me 1.3% thonë statistikat. /Alsat.mk

Baby Boo