Përfundoi viti shkollor, arsimtarët dhe nxënësit: edhe këtë vit u zvarritën problemet e njëjta


Procesi mësimor u karakterizua me shumë sfida dhe u paralajmëruan reforma që kanë për qëllim arritjen e një sistemi arsimor cilësor.
Sipas drejtorit të Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, Kadri Agushi, reformë pozitive ka qenë tërheqja e testimit ekstern, mirëpo edhe më tej probleme shqetësuese vazhdojnë të jenë mbingarkesa e klasave me nxënës, mungesa e librave dhe gabimet në tekstet shkollore.
“Kanë munguar disa libra, kemi kërkuar disa herë në ministri, por nuk kemi marrë. Po ashtu është numri i madh i nxënësve, rreth 1550 nxënës, atyre është dashur t’u shpërndahen 25 deri 35 mijë libra, që është dashur të kontrollohen për kalim të afatit prej 5 vjetëve. Sa e di unë, një apo dy libra janë tërhequr, mirëpo për diçka bombastike, siç ishte paralajmëruar, nuk di”,– tha drejtori i Sh. F. “Ismail Qemali”, Kadri Agushi.
Ndërkohë që arsimtarët thonë se është vështirë të realizohen reformat e paralajmëruara me një numër të madh të nxënësve ku shumë me vështirësi realizohen orët mësimore.
“Problemi është numri i madh i nxënësve se sa ai lëndëve, siç deklaroi ish ministrja e arsimit, më mirë është të ndërtohet shkolla se sa të bëhet heqja e disa lëndëve”,- theksoi arsimtarja, Teuta Imeri.
Edhe nxënësit duan ndryshime në procesin mësimor dhe shpresojnë se shumë gjëra duhen ndryshuar.
“Nuk kemi qenë të stresuar për shkak të testimit ekstern, këtë vit kemi qenë më të lirë”,- u shpreh një nxënës.
“Kemi marrë pesa më pas ditarin na e kanë marrë. Dëshiroj të ndryshoj kjo gjë në shkollë, të ketë sigurim”,- u shpreh një nxënës.
“Kemi dëshirë të jemi më pak nxënës, sepse koha është e shkurtë për t’i pyetur të gjithë për 45 minuta, jemi 33 nxënës”,- tha një nxënës.
Nxënësit të cilët e vazhdojnë arsimin fillor dhe të mesëm, në mësim sërish do të kthehen më 3 shtator të vitit 2018, për fillimin e vitit shkollor 2018/2019.
Baby Boo