Përfundoi afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 12 prillit


Deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) deri mbrëmë në mesnatë listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit i dorëzuan koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja dhe Besa, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja, E majta, Integra, PDSH-ja, Partia e punëtorëve, UDQ, Zëri për Maqedoninë, partia Demokratët, partia e re “Tvoja”, koalicioni “Asnjëherë e Veriut vetëm Maqedonia”…

Pritet KSHZ-ja sot të kumtojë se sa koalicione dhe parti kanë dorëzuar listat e kandidatëve dhe për sa njësi zgjedhore, si dhe a do të organizohet votimi në diasporë. Sa i përket votimit nga diaspora kjo varet nga numri i fletëparaqitjeve dhe situata me Kovid-19.

Pjesa më e madhe e koalicioneve dhe partive politike, sipas paralajmërimeve nga shtabet e tyre, kanë dorëzuar listat e kandidatëve për të gjitha njësitë zgjedhore, përfshirë edhe diasporën.

Pas dorëzimit të listave të kandidatëve KSHZ-ja kontrollon se a janë dorëzuar në afatin e paraparë dhe a janë dorëzuar sipas Kodit Zgjedhor. Listat e kandidatëve që do të dorëzohen pas afatit do të hidhen poshtë.

KSHZ-ja gjithashtu kontrollon se vallë kandidatët e propozuar i përmbushin kushtet e parapara me Kushtetutë dhe nenin 7 paragrafi 2,3 dhe 4 nga Kodi Zgjedhor, përmes regjistrave adekuatë dhe evidencave të institucioneve përkatëse. Këto institucione janë të obliguara që në afat prej 24 orëve në mënyrë elektronike deri te KSHZ-ja t’i dorëzojnë të dhënat e kërkuara për kandidatët. Kjo është risi për Komisionin, që u vendos me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor.

Nëse konstatohet se listat janë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ato po konfirmohen më së voni 48 orë nga pranimi i dokumentacionit të kërkuar nga institucionet.

KSHZ-ja ka shpallur afate për mënjanimin e parregullsive eventuale ose zëvendësim të kandidatëve nëse kjo është e nevojshme. Listat të cilat do të dorëzohen pas afatit do të hidhen poshtë.

Renditja e listave të partive dhe koalicioneve në fletën e votimit përcaktohet me short dhe ai numër është i njëjtë në të gjitha njësitë zgjedhore. Shorti duhet të mbahet më së voni deri më 20 mars, ndërsa listat duhet të publikohen zyrtarisht më 21 mars.

Fushata zgjedhore fillon më 23 mars, ndërsa përfundon më 10 prill në mesnatë.

Koalicionet e kryesuara nga partitë më të mëdha të bindur për fitore, fushata do të ndryshohet sipas masave për shkak të Kovid-19

Damjan Mançevski nga LSDM-ja dhe Arianit Hoxha nga Besa mbrëmë pas dorëzimit të listave të kandidatëve theksuan se presin që ky koalicion i shumtë dhe i larmishëm “Mundemi” të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Në këtë listë janë 120 emra qytetarë të përgjegjshëm të cilët e duan vendin e tyre dhe të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për qytetarët e tyre, të japin angazhimin me punën e tyre profesionale në Parlament të pavarur. Ky është koalicioni më i madh për momentin i përbërë nga parti të ndryshme politike të bashkuar rreth asaj që është me rëndësi për qytetarët, të ardhmen e shtetit siç janë anëtarësimi në NATO dhe BE, rritja ekonomike, paga më të larta, kujdes për të gjithë, drejtësi dhe shtet juridik dhe mjedis të shëndoshë jetësor”, ka thënë Mançevski.

Pikërisht këto janë edhe shtyllat kyçe rreth të cilave janë bashkuar parti të ndryshme politike pas së cilave, siç tha Mançevski, u rreshtuan të gjitha bashkësitë etnike në koalicionin “Mundemi” dhe të cilat sjellin progres edhe më të shpejtë të vendit.

Sekretari i përgjithshëm i Besës, Hoxha theksoi se koalicioni i tyre do të jetë fitues në këto zgjedhje dhe se do të sundojë me shtetin.

“Ne presim që dallimet dhe përfitimet që i ofrojmë në shoqëri do të kuptohen më pozitivisht dhe ashtu si fitimtar do të sundojmë”, ka thënë mes tjerash Hoxha.

Pas dorëzimit të listave të kandidatëve sekretari i përgjithshëm i partisë, Igor Janushev potencoi se këto janë lista fituese me të cilat VMRO-DPMNE-ja do të realizojë një fitore të madhe, bindëse, historike për ripërtëritje të Maqedonisë.

“Me këtë praktikisht e përfundojmë këtë pjesë të parafushatës. Na presin disa ditë të cilat do t’i kalojmë, para së gjithash në kërkesën për mënyra alternative se si të mbetemi në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke filluar me rekomandimet dhe masat para së gjithash të OBSH-së lidhur me situatën momentale me koronavirusin”, ka thënë Janushev.

VMRO-DPMNE-ja theksoi Janushev kërkon mënyra alternative se si të mbetet në kontakt direkt, gjatë kësaj në vend të parë është shëndeti dhe jeta e qytetarëve.

“Masat e deritashme dhe ndalesat që i kemi lidhur me tubimet deri më 24 mars, ajo është në fakt edhe pjesa e dytë, zyrtare e fushatës. Do të shohim se si do të zhvillohen punët dhe në drejtim të kësaj do të vendosim se çka më tej”, ka thënë Janushev.

Baby Boo