Pendarovski mbledh më shumë nënshkrime në Çair, Reka në Tetovë (Video)


Kanë mbetur edhe tre ditë deri në përfundimin e afatit për kontrollin publik të listës zgjedhore, ndërkaq deri më tani kontrollin në listën zgjedhore e kanë kryer gjithsej 50 mijë e 5 qind e 72 qytetarë të shtetit. Siç njoftoi zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani nëpër zyrat dhe njësitë rajonale kanë sjell 119 vendime për regjistrimin në listën zgjedhore, prej të cilave 107 për fshirje të të dhënave në listën zgjedhore dhe 29 ndryshime të të dhënave.

“Vazhdon procesi i kontrollit publik të listës zgjedhore kanë mbetur edhe shumë pak ditë, andaj ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve të cilët dëshirojnë që të dhënat e tyre ti verifikojnë ose ti kontrollojnë në listën zgjedhore, atë ta bëjnë duke shkuar në ndonjërën prej zyrave rajonale dhe njësive rajonale të KSHZ-së, mirëpo gjithmonë është edhe mundësia e kontrollit të të dhënave në ueb platformën e KSHZ-së për listën zgjedhore, nëse hasin në ndonjë të dhënë që nuk korrespondon me të dhënat e tyre në dokumentet personale atëherë mund të drejtohen në zyrat rajonale dhe njësitë rajonale të KSHZ-së dhe të deponojnë kërkesën adekuate për t’i përmirësohen këto të dhëna”, tha Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Ndërkaq ka përfunduar edhe afati për mbledhjen e nënshkrimeve për përkrahje të kandidatëve për president, ku nga 9 kandidatë, vetëm 3 kanë arritur që të mbledhin numrin e nevojshëm për parashtrim të kandidaturave. Gordana Siljanovska ka mbledhur gjithsej 15,926 nënshkrime, Blerim Reka 11,128 dhe Stevo Pendarovski ka mbledhur 31, 729 nënshkrime.

“Më 9 mars mbaroi afari i mbledhjes së nënshkrimeve për përkrahje të kandidatëve për president të shtetit. Pas mbarimit të këtij afati deri te KSHZ erdhën informata të cilat thonë se vetëm 3 prej kandidatëve të mundshëm e kanë plotësuar kushtin dhe kanë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime po aq sa janë edhe të nevojshme për parashtrim të kandidaturave”, shtoi Admir Shabani.

Nga KSHZ njoftuan se gjithashtu vijon afati për për paraqitje të votuesve të cilët dëshirojnë të drejtën e tyre të votës ta realizojnë në njërën prej përfaqësive diplomatike konsullare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në KSHZ gjithsej kanë arritur 920 fletëparaqitje prej të cilave 913 fletëparaqitje janë të miratuar. Ndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancën e saj ku mes tjerash u miratuan edhe kërkesat e parashtruara për marrjen e autorizimit për vëzhgues të zgjedhjeve presidenciale.

Shenja

Baby Boo