PDK fajëson Qeverinë Kurti për përhapjen e koronavirusit në Kosovë


Partia Demokratike e Kosovës ka fajësuar Qeverinë Kurti për përhapjen e koronavirusit në Kosovë.

Deputeti i kësaj partie, Uran Ismaili në një konferencë për media ka thënë se personat e ardhur nga Italia është dashur të futen në karantinë për 14 ditë e jo të sillen nëpër qytet.

“Disa cështjeve nga qeveria Kurti është dashur t’u jepet seriozitet më i madh. Është fatkeqësi që personat e ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, por u është lejuar të sillen nëpër qytetet e tyre. Karantina ka qenë masa që është marrë nga të gjitha shtetet por jo nga Kosova. Mungesa e veprimeve për izolim na ka shtuar rrezikun për shpërndarjen e virusit në Kosovë. Mendojmë se mungesa e këtij veprimi është një gabim dhe duhet të përmirësohet sa më shpejtë “, ka thënë Ismaili.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë:

1. Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës;

2. Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë;

3. Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;

4. Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetizolohen për 14 ditë;

5. Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;

6. Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;

7. Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;

8. Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;

9. Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;

10. Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia.

Baby Boo