Partitë tani për tani larg marrëveshjes për datë për zgjedhjet


 Partitë deri më tani janë larg marrëveshjes për datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. LSDM-ja me qëndrim se nëse nuk ka marrëveshje, atëherë sipas fuqisë së ligjit, zgjedhjet do të mbahen më 21 qershor. Kundrejt tyre, VMRO-DPMNE-ja mendon se zgjedhje duhet të ketë atëherë kur nuk do të rrezikohet asnjë jetë njeriu dhe kur qytetarët do të ndihen të lirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Nga LSDM-ja qeveritare thonë se pas vendosjes së pandemisë nën kontroll, fuqishëm janë të përkushtuar në sjelljen e masave ekonomike për transformim të shpejtë të ekonomisë. Tani, siç theksojnë, është e nevojshme ndërtim i institucioneve funksionale dhe institucione me legjitimitet të plotë dhe prandaj janë të nevojshme zgjedhje parlamentare në afatin e parë të mundshëm.

Sipas Komisionit për sëmundje infektive dhe sipas institucioneve kompetente, siç thonë nga LSDM-ja, janë krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, natyrisht me respektim të plotë të protokolleve për mbrojtjen e shëndetit.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mendon se në këto momente është e nevojshme të mendohet me mençuri dhe qëndrim mbipolitik i cili do të jetë në interes të qytetarëve dhe shëndetit të tyre, e jo në dobi të partive politike.

Sipas tyre, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kohë të pandemisë e cila çdo ditë merr jetë të njerëzve është e barabartë me vrasjen e organizuar, për të cilën për fat të keq nuk do të ketë kthim mbrapa.

Edhe lëvizja BESA me qëndrim se çdo tentim për prolongimin e zgjedhjeve shkon në dëm të qytetarëve.

“Çdo tentim për prolongim të zgjedhjeve me arsyetime të pa argumentuar shkon vetëm në dëm të qytetarëve, prandaj apelojmë te gjithë faktorët politik në vend që mos të luajnë me fatin e qytetarëve por t’i qasen seriozisht rrethanave të krijuara dhe mos kalkulojnë me përfitime politike që dëmtojnë interesin e qytetarëve”, thonë nga BESA.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dje kanë kërkuar përgjigje shtesë për masat për zgjedhje nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot informoi se në ditët e ardhshme Komisioni do të përgjigjet në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, ndërsa gjithashtu tha se ata, gjegjësisht shteti, do të mund të përgjigjet në nevojën për materiale mbrojtëse për zgjedhjet duke pasur parasysh se bëhet fjalë për numër të madh.

Në takimin e dytë të liderëve tek presidenti i shtetit, që u mbajt të hënën, liderët partiakë nuk arritën konsensus për datën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Fillimisht këto zgjedhje u caktuan për më 12 prill, por për shkak të pandemisë me koronavirusin dhe gjendjen e jashtëzakonshme ato u shtynë me Dekret qeveritar me fuqi ligjore.

Baby Boo