Partitë politike në RMV komentojnë mocionin e qeverisë Kurti

Partitë Politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë komentuar situatën politike që ndodh në Kosovë, me rastin e nocionit të mosbesimit të Qeverisë ‘Kurti’.

Sigma Doors

Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët ka thënë që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, në rrethana ku qytetarët janë të goditur nga pandemia, është i panevojshëm dhe i pajustifikuar.
Sipas Bexhetit deputetët e Kosovës duet të sigurohen për të mirën e qytetarëve dhe të mos i shtojnë atyre dhe një brengë plus gjatë kësaj kohe:

“Mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Kosovës në këto rrethana ka qenë aspak i pranueshëm, madje ka qenë aspak i nevojshëm kur dihet se në këto momente bota po përballet me pandeminë, e cila ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe paraqet një rrezik shumë të madh. Ne si subjekt politik mendojmë që nuk është e nevojshme kjo temë të hapet dhe të bëhet një ngarkesë tjetër për qytetarët e Kosovës të cilët prioritet e kanë në radhë të parë shëndetin e tyre. Besoj që edhe ata që e kanë nënshkruar mocionin e mosbesimit, përfshirë edhe LDK-ja kanë gabuar sepse janë përballur të njëjtit me opinionin publik dhe kjo gjithsesi i ve në sprovë kredibiltetin e tyre etik dhe moral, sepse të rrëzosh Qeverinë në këto rrethana është të shtosh brengën e mos sigurisë tek qytetarët e Kosovës. Besojmë që ky nocion nuk do të kalojë dhe deputetët e Kosovës do t’i thërrasin vetëdijes së tyre, edhe të mendojnë edhe një herë se a ja vlen që ata në një farë mënyre të rrezikojnë edhe të ardhmen politike, se sot më i rëndësishëm është shëndeti publik se sa Qeveria apo pozitat e ndryshme partiake apo politike. Ne jemi të shqetësuar si subjekt politik për gjendjen që ndodh në Kosovë, jemi të bindur se Qeveria Kurti vazhdoj në mënyrën më të duhur të udhëheq shtetin e Kosovës duke hap një kapitull të ri të politikbërjes por ja që nuk u përball vetëm me Koronavirusin po përballet edhe me një virus tjetër politik i cili është i papranueshëm dhe i pa justifikushëm”, ka thënë Bexheti.

Mocionin për mosbesimin e Qeverisë së Kurtit e ka komentuar edhe Muhamed Zeqiri nga LSDM, duke e quajtur si moment i gabuar pasi këto përballje politike po ndodhin në kohë pandemie, dhe se nëse ndodh një gjë e tillë do të ishte në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Mendoj se momenti është i gabuar, sepse gjithë shtetet jo vetëm të rajonit por edhe të botës po merren me luftën ndaj virusit COVID19, në Kosovë partitë politike po debatojnë për rrëzimin e Qeverisë. Çdo matematikë tjetër do të jetë e dëmshme për Kosovën nëse pranohet mocioni për prishjen e Qeverisë së zotit Kurti, e vetmja gjë e mirë për Kosovën është të vazhdojë të funksionoj ky koalicion i cili deri tani është duke udhëhequr me Kosovën. Mirëpo nëse e shohim situatën në Kuvend, hapësira e tillë është shumë e vogël dhe do të jetë gjithçka në dëm të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Zekiri.

Artan Grubi, deputet i BDI-së i pyetur për qëndrim të partisë së tij lidhur me këtë çështje nuk dha kurrfarë përgjigje dhe na udhëzoi që përgjigje të kërkojmë tek zëdhënsi i partisë Bujar Osmani.