Një masë paraburgimi prej 30 ditësh është caktuar për dy persona nga Shtipi, të dyshuar se kanë kryer dy vepra penale – shantazh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas informacionit të Prokurorisë Publike të Shtipit, të dyshuarit në ditët e fundit të vitit të kaluar dërguan disa mesazhe kërcënuese ndaj një personi të tretë, me qëllim që të nxjerrin para prej tij.
I dëmtuari, përballë kërcënimeve serioze ndaj jetës së tij dhe të familjes, e ka denoncuar rastin në policinë e Shtipit.
Sipas përshkrimit të rastit nga Prokuroria, më 4 janar ishte caktuar një takim ku të dyshuarit duhej të merrnin 30 mijë denarë. Policia i ka kapur ata në momentin kur po përpiqeshin të merrnin paratë dhe i ka arrestuar.
Prokuroria e Shtipit më parë kishte siguruar prova që sugjeronin me baza të forta dyshimin se të njëjtët persona, më 16 dhjetor, kishin djegur me qëllim një veturë “Seat Leon” para një ndërtese në rrugën “Sremski Front”, që ishte pronë e një gruaje.
Kështu, shton Prokuroria, ata me qëllim shkaktuan rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve.
Për këta persona, Prokuroria e Shtipit ka lëshuar urdhër për fillimin e një hetimi dhe për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët ose për të përsëritur veprat, prokurori ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shtipit që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarit.