Palestina u kërkon vendeve islame që ta tërheqin njohjen e Kosovës si shtet


Palestina u ka kërkuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që t’i ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën, për shkak të vendimit të autoriteteve në Prishtinën zyrtare për të hapur ambasadë në Jerusalem.
Sipas informacionit të cilin e citon ky medium, kërkesa u deklarua nga ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad al Maliki, në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës.

Siç shpjegoi Al-Malki, marrëdhëniet duhet të ndërpriten, sepse “vendimi i Kosovës shkel ligjin dhe rezolutat ndërkombëtare, por gjithashtu sulmon hapur popullin palestinez dhe të drejtat e tij”. Nëse anëtarët e OBI-së do ta pranonin kërkesën palestineze, Prishtina do të përballej me një humbje të madhe të mbështetjes, pasi pavarësia e Kosovës u njoh prej 30 nga 57 vendet anëtare të kësaj organizate. Sipas mediumit serb, vlerësohet se këto vende zyrtarisht nuk do t’i tërhiqnin vendimet e njohjes, por një numër i madh i tyre do të mund të mos e mbështesnin më Kosovën në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Prishtina zyrtarisht vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin më 1 shkurt, dhe njoftimin se do të hapej një ambasadë në Jerusalem, OBI e dënoi më 3 shkurt.
Synimi i autoriteteve të Kosovës u kritikua gjithashtu nga Bashkimi Evropian, por përkundër kësaj, ambasada u hap zyrtarisht në Jerusalem më 14 mars.
Para Kosovës, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kishin misione diplomatike në Jerusalem nga viti 2018.

Ambasadori palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan kohët e fundit deklaroi se akti i hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem është shkelje e parimeve të vendeve arabe dhe islamike, të cilat besojnë se Jerusalemi është qytet i okupuar.
Ai deklaroi se Turqia gjithashtu kundërshton një veprim të tillë dhe pyeti se sa ia vlen të merret njohja e një vendi dhe të humbet mbështetjen e më shumë se 60 vendeve tjera.

“Të gjithë anëtarët jo të lidhur që kanë një qëndrim të ngjashëm, si dhe OBI, do ta shohin veprimin negativisht. Pra, e gjithë bota do ta shikojë atë negativisht, sepse ajo bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe sigurisht nuk i jep Prishtinës një vizë tranziti në OKB”, tha Nabhan, duke i bërë thirrje Serbisë që të mos e zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jerusalem, për të cilën kjo e fundit u zotua me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar..

Ndër anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamit që e njohin Kosovën janë Shqipëria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Pakistani dhe Libia, ndërsa pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga Palestina, Azerbajxhani, Indonezia, Irani, Algjeria, Tunizia e Kazakistani.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), është një organizatë ndërkombëtare e karakterit religjioz, që është themeluar në vitin 1969. Deri në nëntor të vitit 2017 kjo organizatë numëron gjithsej 57 shtete anëtare, me një popullatë të përgjithshme prej 1.6 miliardë banorësh, sipas regjistrimeve të vitit 2008.

Baby Boo