Pak orë para vdekjes, fotoja e fundit publike e Mbretëreshës Elizabeth II


Imazhi i fundit publik nga Mbretëresha Elizabeth II do të mbetet nga takimi i saj me kryeministren e saposhpallur Liz Truss, në Balmoral, dy ditë para vdekjes. Takimi u krye për dorëzimin e pushtetit, pas largimit të Boris Johnson. Mbretëresha dukej me humor të mirë. Vdekja e Madhërisë së Saj erdhi disa orë pasi Pallati Buckingham ndau lajmin se mjekët ishin “të shqetësuar” për shëndetin e saj dhe rekomanduan që ajo “të qëndronte nën mbikëqyrjen mjekësore”.

Por Mbretëresha vazhdoi me angazhimet mbretërore edhe në ditët e saj të fundit. Në fakt, ky takim ishte edhe hera e parë në historinë e mbretërisë që dorëzimi i pushtetit nga Kryeministri në largim Boris Johnson te pasardhësi i tij, Liz Truss, u bë në Balmoral dhe jo në Buckingham Palace, në Londër.

Për këtë rast, mbretëresha veshi një triko gri të hapur mbi një këmishë të bardhë dhe një fund me kuadrate. Siç shihet në foto, ajo mbante një bastun në dorë – diçka që e kishte përdorur që nga tetori 2021 – ndërsa buzëqeshi dhe përshëndeti Truss-in brenda pronës skoceze.

Pas vdekjes së Mbretëreshës, Truss shprehu ngushëllimet në një deklaratë publike jashtë rezidencës së saj në Londër, në Downing Street. “Mbretëresha Elizabeth II ishte shkëmbi mbi të cilin u ndërtua Britania moderne”,- tha ajo. “Vendi ynë është rritur dhe është lulëzuar nën mbretërimin e saj. Britania është vendi i madh që është sot falë saj.”

Kryeministrja i dërgoi gjithashtu ngushëllimet e saj mbretit Charles, i cili u bë mbret menjëherë pas vdekjes së nënës së tij si trashëgimtar i fronit. “Ne i ofrojmë atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë, ashtu si nëna e tij u kushtoi kaq shumë njerëzve për kaq shumë kohë”,- tha Truss. “Me kalimin e epokës së dytë Elizabetiane, ne hapim një epokë të re në historinë madhështore të vendit tonë të madh, pikërisht ashtu siç do të kishte dëshiruar madhështia e saj me fjalët: Zoti, ruaje Mbretin.”

Baby Boo