Osmani për “Etnos”: BDI do të vendosë cila parti do të bëjë koalicion me ne”


Vlerësoj se BDI do ta marrë mandatin për të formuar Qeveri, ndërsa ne do të vendosim cila parti e Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë në koalicionin tonë, thotë Bujar Osmani për gazetën greke “Etnos”.

Në tekstin me titull “Osmani: Në mënyrë dinamike do të vazhdojmë me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës”, gazeta greke i transmeton qëndrimet e zëvendëskryeministrit dhe anëtar i BDI-së, si lidhur me rezultatin zgjedhor dhe bisedimet postzgjedhore midis partive ashtu edhe për Marrëveshjen e Prespës dhe negociatat inkuadruese me Bashkimin Evropian”, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Lidhur me marrëdhëniet parazgjedhore të BDI-së me Zoran Zaevin, të cilat, siç shkruan “Etnos” janë shënuar me konfrontime të shpeshta ndërsa “ish-kryeministri disa herë e dërgoi partinë më të madhe shqiptare në opozitë”, për atë nëse kjo do të ndikojë mbi formimin e Qeverisë Osmani theksoi “se është diçka për të cilën duhet pyetur Zaevi” dhe sipas gazetës, ka shtuar se pas rezultateve nuk vlerëson se lideri i LSDM-së ka mbetur me qëndrimin e njëjtë.

“Në çdo rast rezultati i zgjedhje tregon se ne dhe jo dikush tjetër do ta përcaktojmë se kush do të hyjë në përbërjen tonë qeveritare. Kështu, vlerësoj se BDI do ta marrë mandatin për të formuar Qeveri ndërsa ne do të vendosim cila parti e Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë në koalicionin tonë”, thotë Osmani.

Rezultatet e zgjedhjeve i karakterizon si “rezultati më i mirë për stabilitet dhe perspektivë euroatlantike por edhe për fqinjësi të mirë e cila siguron marrëdhënie harmonike dhe baraspeshë në brendi” dhe thotë se pas rezultateve zgjedhore, fuqia e tyre është rritur.

“Rezultati zgjedhor, nga njëra anë e bën BDI-në faktorin kryesor në përcaktimin e ngjarjeve politike të ardhshme në vend ndërsa nga ana tjetër e reflekton rolin konstruktiv të partisë gjatë periudhës së kaluar si garanci për zbatimin e garantuar të të gjitha marrëveshjeve siç është Marrëveshja e Prespës me Greqinë, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë por edhe Marrëveshja e Ohrit. Ndërsa BDI është sinonim i këtij procesi për stabilitet, perspektivë euroatlantike, fqinjësi të mirë dhe sigurimin e baraspeshës në brendi”, sqaron Osmani.

Për negociatat midis partive për formimin e Qeverisë, thotë se përmes procesit të shpejtë është e domosdoshme sa më shpejtë të formohen institucionet për ballafaqim me pandeminë, me pasojat socio – ekonomike, por përmend se vendi ndodhet një hap para negociatave inkuadruese.

Pikërisht negociatat me BE-në, Osmani i përmend edhe në prioritetet që duhet t’i ketë qeveria e re, pasi siç sqaron, qeveria e ardhshme do të negociojë me Brukselin dhe “prandaj është e rëndësishme nga njëra anë të formohet qeveri shumë funksionale, efektive dhe mbështetëse, që i shërben këtij qëllimi, ndërsa nga ana tjetër, qeveri që do të ketë kapacitet për t’i zbatuar të gjitha reformat e nevojshme në brendi”.

Duke folur për marrëdhëniet midis Shkupit dhe Athinës dhe Marrëveshjen e Prespës, Osmani për “Etnos” komenton se për shkak të zgjedhjeve ka pasur vonesa në zbatim, por thekson se me formimin e Qeverisë së re do të vazhdojë në mënyrë dinamike me obligimet të cilat dalin nga zgjidhja midis dy vendeve.

“Etnos” në tekstin në të cilin i transmeton qëndrimet e Bujar Osmanit, përkujton se partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit me 11,47 për qind është fuqia e tretë në vend dhe komenton se me 15 pozita të deputetëve në Kuvend “është fituesi i madh në bllokun shqiptar dhe rregullator në bashkëpunimet paszgjedhore”.

Lidhur me skenarët, gazeta shkruan se LSDM me 46 deputetë “mund të formojë qeveri vetëm me BDI-në me të cilën do t’i ketë saktë 61 deputetë, ndërsa që të sigurohet stabilitet më i madh në koalicionin qeveritar mund të përfshihet edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit”.

Baby Boo