Osmani: Koha do ta dëshmojë se vendimi për fillimin e negociatave me BE-në është i drejtë dhe strategjik


Jam i privilegjuar dhe i lumtur që po e përfaqësoj një vend që më në fund po negocion me BE-në dhe duhet të them se kredibiliteti i BE-së në rajon është ruajtur në momentin e fundit, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin në panelin “BE dhe Ballkani Perëndimor: Kush është gati?” që mbahet në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit.

“Sigurisht, jo të gjithë në Maqedoninë e Veriut apo përtej Maqedonisë së Veriut janë dakord, thonë se na duhej të paguanim një çmim të lartë për fillimin e negociatave për anëtarësim, por siç thashë së fundmi, koha do të tregojë se ky vendim ishte vendimi i duhur për t’u bërë, ishte strategjik dhe tregoi edhe një herë se Maqedonia e Veriut tregon vigjilencë të vazhdueshme ndaj dialogut, ndaj kulturës së kompromisit, ndaj vendimmarrjes strategjike dhe përgjegjësisë rajonale”, potencoi Osmani.

Ai kujtoi se vendi për 17 vite ishte i ngujuar në “muzgun” e statusit të kandidatit për anëtarësim, edhe pse në mënyrë të qartë dëshmoi se mund të jetë shembull për vendet e tjera, për demokracinë multietnike unike dhe për zgjidhjen me kompromis të problemeve.

Në panel fjalime patën edhe Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Eskobar, ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc, Malit të Zi, Ranko Krivokapiq dhe BeH, Bisera Turkoviq, Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështjeve të tjera rajonale, Mirosllav Lajçak, Përfaqësuesi i lartë për BeH, Kristijan Shmid dhe Zoran Neçev nga Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup.

Panelistët debatuan për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, i cili në thelb është i lidhur me strukturat evropiane dhe euroatlantike, veçanërisht nën prizmin e realitetit të ri gjeopolitik, rreziqeve aktuale të sigurisë që dalin nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe domosdoshmërinë e realizimit të projektimit ambicioz të BE-së si një aktor global, kumtoi MPJ.

Baby Boo