Ombudsmani: Tmerruese situata në burgjet dhe spitalet psikiatrike të Maqedonisë (VIDEO)


Burgjet në vend janë në gjendje mjerueshme, pa kushte elementare, është konstatimi i Avokatit të popullit. Në burgun e Shutkës të Shkupit të burgosurit kontrollohen në mënyrë të pazakonshme , në zyren e kujdestarit, shpeshherë pa veshje dhe para persona të tjerë, kurse gratë i kontrollojnë burra që është në kundërshtim me rregullat “Mendela”.

“ Rregullat Mendela parashikojnë që gratë të burgosura të ruhen dhe te mbikëqyren nga femra oficere, rrespektivisht që asnjë përfaqësues mashkull nga personeli nuk do te hyjë në hapësirat e burgjeve të dedikuara për gra, poqëse sështë i shoqëruar prej gruas oficere” – ka deklaruar Vaska Bajramovska- Mustafa, Zëvendëse e Avokatit të Popullit.

Avokati i popullit gjatë vizitave të paparaljmëruara ka konstatuar se personave të vendosur nëpër qeli të izoluara nuk ju bëhen kontrolle çdo ditore nga mjekët edhe pse një gjë e tillë me ligj është e rregulluar. Në burgun e Shkupit pas orës 20:00 nuk ka personel mjekësor. Dy mjekët e përgjithshëm janë me orar pune deri në 20:00 ndërsa të shtunën vetëm deri në ora 15:00. Infermierja e vetme punon deri në ora 15:00 çdo ditë pune ndërsa të shtunën vetëm deri në ora 12:30. Në burgun e Strumicës gjendja është ende më e rëndë ku mjekët vijnë vetëm dy herë në javë për disa orë, ndërsa psikolog, psikiatër dhe stomatolog absolutisht nuk ka. Burgu i Kumanovës përballet me mungesë të ujit ndërkaq tualetet nuk kanë dyer. Të burgosurit detyrohen që të vendosin batanije në hapësirën e derës apo të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër. Nëpër qeli vendosen nga tre persona gjë e cila çon deri në përleshje fizike e verbale mes të burgosurve, thotë Bajramovska Mustafa.

Alarmante është edhe gjendja e hapësirave për të privuarit nga liria nëpër Stacionet policore. Më e vështirë është situata në stacionin policor të Vallandovës për të cilën Ombudsmani ka kërkuar mbylljen e saj.
“Këto hapësira janë pa video mbikëqyrje, nuk kanë depërtim të dritës por as dritë artificiale, ndërkaq shumica e objekteve janë në lagështi të vazhdueshme, të ngushta dhe të shkatërruara, me sisteme për thirrje jashtë funksionit, tualete të përbashkëta, dhe pa ngrohje gjatë temperaturave të ulëta.” – deklaroi Bajramovska – Mustafa.

Këto janë vetëm disa nga konstatimet e Avokatit të Popullit, ndaj ky institucion kërkoi nga organet kompetente që të ndërmerren hapa për parandalimin e këtyre dukurive.

Këtë raport do ta dorëzojmë deri te Komiteti për parandalimin e torturës pranë Kombeve të Bashkuara dhe deri në organet tjera ndërkombëtare. Sot kur shënohet dita ndërkombëtare e mbrojtjes së viktimave nga torturat, si Avokat i Popullit apelojmë deri te të gjitha aktorët në shoqëri për ndalesë absolute të torturimit, duke kujtuar ndërmarrjen e masave për hetime efikase dhe pengimin e çfarëdolloj akti të torturës si dhe çdo sjellje tjetër nënçmuese – shtoi Zëvendësja e Avokatit të Popullit.

Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit janë konstatuar edhe sjellje të këqija ndaj emigrantëve të cilët tentojnë të hyjnë ilegalisht në Maqedoni. Konstatimet e Avokatit të Popullit mbi raportin e fundit kanë dalë nga gjithsej 48 vizitat parandaluese gjatë vitit të shkuar, të cilat janë kryer në tre burgjet e vendit, atë të Shkupit, Strumicës dhe Kumanovës, në 13 Qendra policore si dhe 30 Qendrave pranuese të emigrantëve.
Duke iu përgjegj pyetjeve të gazetarëve lidhur me veprimin e policisë ndaj protestuesve që kundërshtojnë Marrëveshjen me Greqinë, Bajramovska – Mustafa tha se Institucioni i Avokatit të Popullit po monitoron ankesat. Ajo njoftoi se tashmë ka dy raste të ankesave nga qytetarët dhe drejtpërdrejt nga persona që vlerësojnë se janë shkelur të drejtat dhe është përdorur forca nga ana e policisë.
“Procedurat janë në vazhdim e sipër dhe janë marrë masa në departamentet kompetente të Avokatit të Popullit”, shtoi Bajramovska-Mustafa, gjatë konferencën e sotme për shtyp.

Baby Boo