OKB: Populli sirian po tërhiqet zvarrë në humnerë të re


Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Kërkimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë ku përleshjet mes palëve po përshkallëzohen dhe ekonomia po shembet tha se populli i Sirisë, “po shkon në një humnerë të re”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media të mbajtur në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, u prezantua raporti i Komisionit për situatën humanitare në Siri në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Në raport thuhet se më shumë se gjysma e popullsisë që jetonte në vend para luftës civile ishte shpërngulur dhe 90 për qind e kësaj popullsie është në varfëri.

Deri më tani, 12 milionë njerëz në Siri po përballen me pasiguri ushqimore ndërsa 14.6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Lufta Rusi-Ukrainë do të ndikojë në varfërinë e Sirisë

Siria po përballet edhe me thatësirën më të madhe të viteve të fundit. “Inflacioni në vend i është afruar 140 për qind që nga fillimi i këtij viti, madje edhe çmimet e produkteve bazë janë rritur me shpejtësi”, thuhet në raport.

Gjithashtu paralajmërohet se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të ndikojë thellë edhe në varfërinë në Siri.

Komisioni bëri thirrje për një rishikim të sanksioneve, duke paralajmëruar se sanksionet ekzistuese kundër regjimit të Asadit mund të përkeqësojnë situatën humanitare në vend dhe të pengojnë ndihmën humanitare për Sirinë.

Raporti tërhoqi vëmendjen për faktin se forcat e regjimit të Asadit i shtuan sulmet ndaj vendbanimeve civile në veriperëndim të Idlib dhe të Halepit. “Civilët janë në shënjestër me armë speciale të drejtuara me saktësi dhe sulme ajrore, veçanërisht avionët e Rusisë”, thuhet më tej.

Reagim ndaj sulmeve të YPG/PKK-së në Halep

Sulmet e organizatës terroriste YPG/PKK në Rasulayn dhe Tel Abyad në veri të Halepit vazhduan të dëmtojnë civilët, ku në sulmet e fundit të paktën 13 civilë u vranë dhe 91 civilë tjerë u plagosën.

Duke theksuar se hetimi i krimeve të luftës dhe viktimave civile në Siri nuk ka qenë i suksesshëm të gjitha palët u thirrën për “hetim të besueshëm, të pavarur dhe të paanshëm”.

Thuhet se procesi i kthimit të të burgosurve në kampet Hol dhe Roj të pushtuara nga YPG/PKK po ecën ngadalë. “Rreth 60 mijë të burgosur, përfshirë 40 mijë fëmijë, mbahen në kampe në mënyrë të paligjshme. Të burgosurit që i nënshtrohen trajtimit të vrazhdë, çnjerëzor dhe poshtërues rrezikohen të gjymtohen, vriten ose rrëmbehen”.

Raporti thekson se YPG/PKK vrau më shumë se 90 persona në kampin Hol vitin e kaluar dhe tentoi të vriste 40 njerëz tjerë.

Dhuna ndaj civilëve vazhdon në vend

Raporti paralajmëroi se populli sirian “po shkon në një humnerë të re” si rezultat i problemeve ekonomike dhe konflikteve të përshkallëzuara në vend.

Duke folur në konferencën për media, presidenti i Komisionit, Paulo Pinherio tha se pavarësisht se disa palë në vend ndaluan konfliktet aktive, dhuna ndaj civilëve vazhdon në Siri.

“Popullsia e vendit, veçanërisht civilët e zhvendosur, durojnë varfërinë e tmerrshme. Populli sirian i mbetur në mes grupeve ndërluftuese, po tërhiqet zvarrë në humnerë”, tha Pinherio.

Baby Boo