Nuk merren parasysh mesazhet e Hanit dhe Reeker! S’ka marrëveshje për PP, Ligji në Kuvend më 27 gusht


Pushteti dhe opozita këmbëngulin fort në qëndrimet e tyre kur bëhet fjalë për Ligjin për Prokurorinë Publike. Duket se as mesazhet e euro-komisionarit, Johanes Han, e as mesazhet e ndihmës-sekretarit të SHBA-ve, Filip Riker – që ligji të sillet me marrëveshje të përbashkët, nuk i lëkundi pozitat e të dyja palëve. Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, edhe pse paralajmëronte se nga e hëna propozimin e pushtetit do ta vendosë në rend dite, megjithatë, debati për ligjin është shtyrë pas pushimeve verore. Xhaferi me këtë u jep kohë opozitës dhe pushtetit që të arrijnë kompromis deri më 27 gusht. Nga LSDM-ja, kërkojnë që partia opozitare të debatojnë për propozimin në Kuvend dhe ta përkrahin ligjin.

“Nëse në të vërtetë janë të sinqertë në angazhimin e tyre për vendosjen e sistemit në të cilin do të sundojë e drejta, nëse janë të sinqertë se duan ta krijojmë atë kornizë, atëherë duhet ta përkrahin ligjin. Koncepti i zgjidhjes së këtillë ligjore është i mirë, në fakt edhe institucionet relevante ndërkombëtare e vlerësuan si i mirë dhe i pranueshëm si bazë fillestare, diçka për të cilën do të bisedojmë në Kuvend”, u shpreh Snezhana Kaleska Vançeva.

Nga VMRO-DPMNE-ja, edhe sot konfirmuan se për ta nuk është e pranueshme zgjidhja të cilën e ofron LSDM-ja dhe sigurojnë se propozimi i tyre do të jetë gati brenda disa ditësh. Megjithatë nuk kanë përgjigje të prerë – nëse propozimin e ri do ta dërgojnë për shqyrtim në seancën parlamentare, apo, siç dje paralajmëroi Zaevi – nëse nuk ka konstruktivitet nga ana e opozitës për çështjet e hapura, atëherë do të duhet të organizohet takim liderësh. Opozita propozon që aktakuzat deri më 30.06.2017, nga PPS-ja të kalojnë tek prokurori kompetent publik, kurse procedurat që janë nisur pas afatit, prokurori shtetëror të veprojë në pajtueshmëri me Ligjin për Procedurë Penale dhe mendimin e Gjykatës Supreme. Opozitarja nuk pranon që prokurorët aktualë të PPS-së të jenë pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar.

“Të gjithë prokurorët e strofkës së nepotizmit të ashtuquajtur PPS, e cila për momentin është e tillë siç është, ku punojnë nuse, bija, djem, nipër, familjarë dhe miq të prokurorëve dhe të anëtarëve të LSDM-së, duhet të kthehen në prokuroritë amë, përkatësisht në institucionet, atje prej ku kanë ardhur dhe pas kësaj të konkurrojnë që të shihet nëse i plotësojnë kushtet dhe nëse janë cilësorë”, deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.

Kryeministri Zaev këto ditë theksoi se propozimi i opozitës që PPS-ja të shkrihet në Prokurorinë publike u pranua dhe se presin që VMRO-DPMNE ta përkrahë ligjin. Euro komisari Johanes Han, të enjten, ndërsa ditë më pas edhe ndihmësi i sekretarit shtetëror të SHBA-ve, Filip Riker, thanë se ky ligj është kyç për marrjen e datës për negociatat dhe se opozita duhet të tregohet konstruktive në këtë proces.

Baby Boo