Një vit qeveri, Mehmeti: Janë bërë ndryshime të rëndësishme


Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, thotë se qeveria e re, gjatë vitit të parë të qeverisjes, ka shënuar progres të veçantë në disa fusha, ndërsa arritja kryesore është pikërisht hapja e institucioneve dhe përpjekja për t’i vënë në shërbim të qytetarëve.

“Nëse i shohim gjërat me një sy më real, më objektiv, do të pajtohemi se ndryshimet, që aq më tepër nëse flasim për problemin kryesor, që ishte me qeverinë e kaluar, ajo që përshkruhej si kidnapim i shtetit. Tani shohim se kemi një atmosferë tjetër. Kemi kryeministër dhe ministra që komunikojnë me opinionin, janë të gatshëm t’i pranojnë gabimet dhe janë të gatshëm të komunikojnë për të gjithë atë që e bëjnë”, tha analisti, Ibrahim Mehmeti.

Sipas Mehmetit, kthesa më e madhe është bërë në politikën e jashtme dhe, sipas tij, padyshim se sukseset më të mëdha janë shënuar në këtë sferë.

“Politika e jashtme padyshim se ka shënuar një përparim të pakrahasueshëm. Nëse qeveria e kaluar nuk mundej të vendos as kontakte me faktorë të jashtëm, me përjashtime të vogla, tani kemi një aktivitet të zakonshëm pozitiv diplomatik, përfshirë këtu edhe zgjidhjen e çështjes së emrit. Gjë që paraqet ndoshta gurthemelin e ndërtimit të një shoqërie më normale dhe një shteti që duhet të jetë më afër qytetarit. Dhe kjo, kuptohet, si parakusht e ka edhe integrimin në strukturat euroatlantike, të cilat janë qëllim i shumicës dërmuese të qytetarëve”, theksoi analisti, Ibrahim Mehmeti.

Mehmeti vlerëson se rezultate më të ulëta janë shënuar në reformat në drejtësi dhe në ekonomi, edhe pse qeveria ka dëshmuar vullnet të mirë dhe angazhim, por, sipas tij, këto çështje lidhen ngushtë me njëra tjetrën dhe me procesin eurointegrues, prandaj rezultate më të dukshme pritet të ndodhin pas zgjidhjes së kontestit rreth emrit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.