Nisi greva në çerdhe dhe shkolla


Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) sot filloi grevën në çerdhe, shkollat fillore dhe të mesme. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) Jakim Nedelkov dje njoftoi se mësimdhënësit që janë në grevë nga nesër do të qëndrojnë në hapësira të përbashkëta të dakorduara me drejtorët e shkollave dhe kopshteve dhe nuk do të kryejnë aktivitet edukativo-arsimor, ndërsa përgjegjësi e drejtorëve është që të organizojnë pritjen e fëmijëve që do të vijnë përfundimisht në shkolla.

“Greva do të zgjasë derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë që sa më parë të na thërrasë për bisedime dhe sa më shpejt të gjejmë një zgjidhje të pranueshme reciproke dhe të fillojmë mësimin e rregullt. Përndryshe, e gjithë përgjegjësia se pse nxënësir nuk kanë një të drejtë elementare të garantuar për arsim do të bie mbi ministritë dhe Qeverinë”, tha Nedellkov.

Nedelkov theksoi se SASHK nuk do t’i mbyllë shkollat ​​dhe çerdhet, por askush nuk ka të drejtë t’i detyrojë të punësuarit të pranojnë fëmijët gjatë grevës dhe i bëri thirrje qeverisë që sa më parë të fillojë negociatat me sindikatat për të gjetur zgjidhje për kërkesat, greva do të zgjasë derisa të gjendet një zgjidhje.Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) njoftuan se mësimi nuk do të ndërpritet dhe se fëmijët do të shkojnë në shkolla dhe kopshte.

“Rregullativat juridike në këtë fushë i mbrojnë interesat e nxënësve në përputhje me ligjin për shkollat fillore dhe të mesme, punën edukativo-arsimore duhet ta realizojnë gjatë tërë vitit mësimor. Nuk guxon të ketë ndërprerje vetëm në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme sikurse ekzistimi i gjendjes së krizës, gjegjësisht pandemisë, zjarreve, vërshimeve, ose fatkeqësive tjera natyrore për të cilat vendos Qeveria ku e rregullon mënyrën e organizimit dhe realizimin e mësimit deri në fund të vitit shkollor”, thuhet në njoftimin e MASH.

“Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e drejta e patjetërsueshme e fëmijëve është që t’u sigurohet kujdes dhe arsimim në institucionet parashkollore si një formë e mbrojtjes së fëmijëve. Sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, në institucionet parashkollore për fëmijë, kryerja e veprimtarisë së përkujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë nuk guxon të ndërpritet përveç rasteve emergjente (fatkeqësi natyrore, epidemi etj.), për të cilat vendos themeluesi, dhe paraprakisht me pëlqimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, por jo gjatë grevës”, njoftuan nga MPPS.

Ndryshe, SASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji kryetari i SASHK-ut, Nedellkov.

Baby Boo