Ngushëllime të shumta për vdekjen e Shefkie Lladrovcit, gruas që ia dha Kosovës heroin Fehmi Lladrovci


Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se nëna e e tij ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Lladrovci tha se ajo momentet e fundit të jetës i ka kaluar në gjirin e familjes.

Ngushëllime për vdekjen e nënës së heroit Fehmi Lladrovci, i cili është vëllai i Ramiz Lladrovcit kanë shprehur edhe krerët e shtetit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se familja Lladrovci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në të gjitha periudhat e lëvizjes sonë kombëtare.

“Sot ndërroi jetë Nëna Shefkie Nika – Lladrovci, nëna e heroit të Kosovës, komandantit të shquar Fehmi Lladrovci. Familja Lladrovci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në të gjitha periudhat e lëvizjes sonë kombëtare. Familjes Lladrovci dhe gjithë miqve të saj, i shpreh ngushëllimet më të thella për vdekjen e Nënës Shefkie. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar ai.

Ngushëllime ka shprehur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ish-kryeministri tha se Shefkia ia fali Kosovës Fehmiun, një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për kalimin në amshim të Shefkie Lladrovcit, Nënës së Heroit të Kombit, Fehmi Lladrovci. Nëna Shefkie ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike, duke i mësuar ata që të sakrifikohen për Atdhe. Ajo ia fali Kosovës Fehmiun, një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së.

Pusho e qetë bashkë me Fehmiun, Nëna Shefkie!”, ka shkruar ai.

Ndëkraq, kreu i Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se një nënë fisnike shqiptare e cila dha shumëçka për atdhe meriton respekt të përjetshëm.

“Nënat shqiptare janë unike nga karakteri, trimëria dhe durimi që kanë patur ndër shekuj.

E tillë ishte nëna e heroit të kombit Fehmi Lladrovci, njëherit nëna e Kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, e cila sot e paska lënë këtë botë.

Një nënë si kjo, e cila dha shumëçka për atdhe, meriton lavdinë dhe respektin e përjetshëm!

Dritë i pastë shpirti!

Ngushëllime familjes Lladrovci!”, ka shkruar ai.

Baby Boo