Ngordhje masive e guaskave në bregun e liqenit të Dibrës


Në bregun e Liqenit të Dibrës këto dit mund të shihen mijëra guaska të ngordhura. Është një dukuri e cila flet për vazhdimin e problemeve të Eko sistemit në ujërat e Liqenit të Dibrës për shkak të uljes të nivelit minimal. Dukuria është teje shqetësuese meqë përsëritet dy vitet e fundit dhe kurrë më parë nuk ka qenë prezent.

Ngordhja e guaskave ka përmasa shqetësuese, thonë përfaqësuesit të shoqatave ekologjike në Dibër. Koncesioneri i Liqenit të Dibrës për rekreim, shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” një kohë të gjatë reagon për shkak të nivelit teje minimal të ujit, por, deri tani nuk ka përmirësim të situatës. Kryetari i shoqatës “Trofta”, Dritan Bocku për KOHA thotë se niveli minimal drejtpërdrejt ndikon negativisht në florën dhe faunën në Liqenin e Dibrës.

“Ngordhja e mijëra guaskave është një argument i madh për situatën në të cilën ndodhet jeta e gjallë në ujërat e Liqenit. Pothuajse gjithë bregu i Liqenit të Dibrës është për plot me guaska të ngordhura që qartë flet për një katastrofë ekologjike të Liqenit të Dibrës. Shoqata e jonë në kontinuitet reagon por që askush nuk ndërmerr ndonjë aktivitet për të mbrojtur nivelin e nevojshëm të Liqenit i cili do të garantojë një jetë normale në ujë të florës dhe faunës”, thotë kryetari i shoqatës “Trofta”, Dritan Bocku.

Kjo shoqatë vazhdimisht mban mbledhje të kryesisë dhe me shqetësime paraqet problemet të Liqenit të Dibrës. Shoqatat në fjalë kanë theksuar se e ka të qartë faktin se liqeni i Dibrës është për të prodhuar rrymë elektrike në Hidrocentralin “Spilje”, por njëkohësisht ELEM duhet ta ketë parasysh edhe minimumin e garantuar. Ulja maksimale e nivelit rrit temperaturën të ujit të Liqenit dhe ndodh që ngordhja e guaskave të paraqitet dhe sidomos viteve të fundit me dimensione teje shqetësuese. Një situatë e këtillë faktikisht shkatërron eko sistemin e liqenit por njëkohësisht, duke marrë parasysh se Liqeni mbushet nga lumenjtë e njohur Radika dhe Drini i Zi, shkaktohen dëme edhe në këto lumenj.

Kur është në pyetje ngordhja masive e guaskave disa herë vlerësime kanë dhënë edhe përfaqësuesit e njësisë së Ministrisë së Bujqësisë. Kryeshefi i kësaj njësie në Dibër Arben Mulladauti thotë se ngordhja e guaskave ka të bëj me nivelin minimal të ujit në Liqenin e Dibrës. Ai potencon se guaskat mes tjerave paraqesin edhe ushqim për peshqit në liqe dhe kjo do të thotë se aktualisht fillon të mungon edhe ushqimi për peshqit. Mulladauti shton se guaskat e ngordhura shkaktojnë probleme edhe në eko sistemin jashtë ujit.

Reagime ka edhe nga shoqatat të tjera qytetare, meqë dukuria në fjalë drejtpërdrejt ndikon në eko sistemin e liqenit i cili edhe pse është artificial është një shtyllë e fuqishme për zhvillimin e turizmit në komunën e Dibrës. Nga ana tjetër qëndrimi i përfaqësuesve të Hidrocentralit “Spilj”, i cili është pjesë e sistemit të Hidrocentraleve të Drinit të Zi por edhe Elektro-Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut në kontinuitet thonë se edhe përkundrejt nevojës për prodhimin e rrymës elektrike, respektohet minimumi i nivelit të ujit. Aktualisht liqeni i Dibrës ka një ulje të nivelit për mbi 70 metra, thonë përfaqësuesit të shoqatave ekologjike dibrane.

Baby Boo