Në aeroportin e Shkupit hapet zyra e njësisë ndërinstuticionale kufitare


Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit është hapur zyrtarisht zyra e Njësisë Ndërinstitucionale Kufitare, e mbështetur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC). Njësia kufitare ndërinstitucionale përbëhet nga oficerë doganor dhe policor shumë të kualifikuar me kompetenca të veçanta, detyra dhe synimi parësor i të cilëve do të jetë shënjestrimi dhe trajtimi i rasteve të pasagjerëve të dyshimtë dhe dërgesave të trafikut ajror.

Në hapjen madhështore të Zyrës, fjalim kishin Zëvendëskryeministrja znj. Slavica Grkovska, Ministri i Punëve të Brendshme z. Oliver Spasovski, drejtoresha e Drejtorisë së doganave znj. Slavica Kutirov, drejtori i TAV Maqedoni z. Metin Batak dhe kreu i Zyrës Rajonale të Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, z. Bill Wood.

Drejtoresha e Drejtorisë së doganave në fjalimin e saj theksoi se themelimi i Njësisë Ndërinstitucionale Kufitare është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë dhe të përkushtuar ndërmjet Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Kufitare. Nëpërmjet zbatimit të procedurave të bazuara në aplikimin e analizës së riskut, kjo njësi do të punojë në zbulimin dhe kapjen e pasagjerëve dhe mallrave me rrezikshmëri të lartë, në mbështetje të shërbimeve me kompetenca të veçanta në Dogan dhe Ministrinë e punëve të Brendshme në zbatimin e aktiviteteve për trajtimin e të gjitha formave të tregtisë së paligjshme, praktikave kriminale dhe korruptive. Për themelimin e suksesshëm të kësaj njësie, drejtoresha falënderoi për mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin – UNODC dhe TAV Maqedoni.

Në shenjë të bashkëpunimit të mirë dhe festimit të 30-vjetorit jubilar të Drejtorisë së doganave, në korridorin e gjelbër para hyrjes së objektit të Aeroportit, në mënyrë simbolike u mbollën tre pemë nga Drejtoria doganore, MPB dhe TAV Maqedoni. /KlanMacedonia/

Baby Boo