NDARJA E ”RE” E KOSOVËS E NDËRLIDHUR ME COPËTIMIN E LUGINËS SË PRESHEVËS SI FATKEQËSI E RADHËS!


Është tashmë i njohur fakti se ndër tragjeditë më të mëdha dhe afatgjata të shqiptarëve si në rrafshin kombëtar e politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik, social dhe familjar janë copëtimet e imponuara dhe të dhunshme të territorit të tyre etnogjeografik.
Anash ndarjet e trungut gjeoetnik të shqiptarëve dhe të Kosovës që nuk prajtën nga periudha osmane e deri në çlirimin e Kosovës (1999), edhe këto dy dekadat e fundit fatkeqësisht u provuan disa versione të rikoponimit të brendshëm teritorial-politik të Kosovës, çfarë janë enklavizimi, kantonizimi, përkufizimi në dy entitete sipas modelit të Qipros, ridefinimi territorial, decentralizimi dhe formimi i komunave të reja, rishikimi dhe rirregullimi i territorit etj.

Ideja për ndarjen e Kosovës pikërisht para 50 vjetëve ka dalë nga “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiqi. Kur u bë kryetar i Jugosllavisë së Zhablakut (Serbia dhe Mali i Zi), në janar 1993 projektin e ndarjes në proporcion 60:40% në favor të Serbisë e paraqiti në selinë e OKB-së në Njujork, por u hodh poshtë nga bashkëkryetarët e Konferencës së Gjenevës, S. Vens dhe R. Oven nga frika e ndarjes së BeH dhe Maqedonisë. Në vitin 2004 Qosiqi u bë edhe më i qartë kur thekson se “Serbia nuk ka forcë biologjike që ta ruajë territorin e saj”, prandaj duhet të ndahet dhe ndarja e përkufizimi i tillë paraqesin “kompromisin midis të drejtës historike dhe të drejtës etnike dhe zgjidhjen racionale të antagonizmave shekullore ndëretnike”. Pjesa që do ta merrnin shqiptarët mund të bashkohet me Shqipëri dhe dy popujt dhe dy shtetet mund të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe për këtë qëllim autoritetet e Beogradit duhet të bisedojnë drejpërdrejt me Tiranën zyrtare, duke e kapërcyer Prishtinën. Disa deklarata të njerëzve më përgjegjës të Tiranës zyrtare kohët e fundit shkojnë në këtë drejtim (rruga Nish‒Merdare‒Kukës‒Durrës të ndërtohet pa u pyetur Kosova; ose shqiptarët duhet ta kenë një President!). Të gjitha instancat relevante ndërkombëtare, duke përfshirë edhe KS të OKB-së e kundërshtojnë ndarjen e Kosovës, sikundër që nuk pranojnë që Kosova të kthehet në gjendjen e para vitit 1999 ose të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Këtë e gjejmë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008 (neni 1, alinetë 1 dhe 3).

Është e qartë se Veriu i Kosovës, me shumicë serbe dhe Lugina e Preshevës, me shumicë shqiptare, janë dy nyje neuralgjike gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan për të cilat po kërkohet një zgjidhje e pranueshme, cilësore dhe afatgjate. Lugina e Preshevës që shtrihet në pjesën qendrore të Ballkanit paraqet një territor-korridor që lidh Luginën e Moravës në veri me Luginën e Vardarit në jug, duke mundësuar komunikim më të lehtë dhe më të shpejtë të Evropës së Mesme me atë Jugore dhe më tutje. Nëpër të kalojnë paralelisht rruga automobilistike (autostrada) dhe hekurudha me rëndësi ndërkombëtare, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturin Korridorin X, si një nga linjat më të rëndësishme të komunikacionit dhe transportit në Evropën JL. Këto kohët e fundit u riaktualizuan ide “të reja” dhe “të vjetra” për zgjidhjen e krizës në rajon në kuadër të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Një nga idetë e zëna në gojë shpesh është edhe “shkëmbimi i territoreve” midis Luginës së Preshevës dhe Veriut të Kosovës. Pala serbe duke qenë koshiente për pamundësinë që në aspekt afatgjatë t’i mbajë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në nivelin e “konfliktit të ngrirë” dhe në rrethanat e rrugëtimit institucional edhe synimit për aderim sa më të shpejtë në BE, kohët e fundit përmes rrugëve mediatike, por edhe prononcimeve, kryesisht nga nivelet e ulëta të udhëheqjes politike gjithnjë e më shumë po e plason idenë e shkëmbimit të territoreve. Për të përfituar sa më tepër nga dialogu deri tash joproduktiv me Kosovën, por edhe për të zvogëluar efektet e mundshme negative në opinionin e brendshëm politik, intelektual dhe fetar heziton haptas ta quajë atë “shkëmbim të territoreve”, sepse Kosovën nuk e pranon shtet të pavarur dhe si tërësi e konsideron pjesë të Serbisë, prandaj po i përdor formulimet “rirregullim” apo “korrigjim” i territorit. Këto mjerisht i hasim edhe te disa politikanë shqiptarë të Kosovës jo pa peshë politike dhe institucionale!
Të dy regjionet kanë rëndësi gjeostrategjike dhe gjeopolitike për Kosovën dhe Serbinë, por edhe më gjerë. Pjesa veriore e Kosovës ka një sipërfaqe prej 1.002 km2 (komunat Leposaviq 539,05 km2 , Zubin Potok 334.38 km2, Zveçan 123,01 km2 dhe Mitrovicë Veriore 5,46 km2), me 174 vendbanime. Është e pasur me burime minerare të plumb-zingut (Bellobërdë, Koporiq dhe Zhuta Përlin, Cërnac, me rezerva të vlerësuara në rreth 6,4 milionë tonë më 1986, si dhe Shkritorja e Plumbit në Zveçan, Koncentruesi në Leposaviq). Nga resurset e tjera ekzistojnë lëndë gjeologjike ndërtimore (56 milionë tonë mergelë në Pali Vodenicë dhe Dren të Leposaviqit e gurë ndërtimi që shfrytëzohen kryesisht shkëmbinjtë magmatikë). Në anën tjetër, në territorin në mes të Kosovës dhe Serbisë, në lumin Ibër është ndërtuar akumulimi më i madh në vend, ai i Gazivodës (Ujmanit) me kapacitet prej 390 milionë metrash kub ujë dhe që është vital jo vetëm për popullsinë e pjesës veriore të Kosovës, por për sistemin energjetik e industrial në përgjithësi. Akumulimi është ndërtuar në vitin 1979 dhe qëllimi i tij ishte furnizimi me ujë i popullsisë dhe ujitja e rreth 20.000 hektarëve tokë në fushën e Kosovës dhe të Drenicës. Termocentralet nuk mund të imagjinohen pa burime të sigurta ujore. TC Kosova A ka një harxhim mujor të ujit prej 8 milionë metrash kub, ndërsa TC Kosova B rreth 9 milionë metra kub. Vetëm për prodhimin e një MWh të energjisë nevojiten rreth 6 metra kub (TC Kosova A) dhe 3 metra kub ujë (TC Kosova B). Sipas të dhënave, TC Kosova B që është kryesori për prodhim të energjisë, furnizohet vetëm nga hidrosistemi Ibër-Lepenc, uji i të cilit vjen nga akumulimi i Ujmanit.
Me pozitën e saj kontinentale me asnjë kusht Serbia nuk pajtohet të humbasë hekurudhën ndërkombëtare Beograd‒Shkup‒Selanik që kalon nëpër Preshevë dhe Bujanoc, autostradën Beograd‒Selanik, bazën ushtarake të sapondërtuar në Cepotin në jug të Bujanocit, si dhe territorin e komunës së Medvegjës. Për ata që nuk e njohin kontekstin dhe specifikën e gjeohapësirës së Luginës së Preshevës, pozitën e saj gjeopolitike dhe ekonomike, nëse nuk merret hekurudha dhe autostrada, çfarë kuptimi ka të bisedohet për këmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Shtrohet pyetja a mund të merret hekurudha e ndërtuar në vitin 1889? Sipas nesh përgjigja është negative, sepse për hekurudhën Serbia me aleatët e saj do të zhvillonte një luftë jo ballkanike, por evropiane. Paralelisht me hekurudhën shkon autostrada moderne dhe Korridori X si avantazhe të mëdha për Serbinë dhe transportin e saj në Evropën JL. Në anën tjetër, ideja e Serbisë për dalje në detin Egje daton nga pjesa e dytë e shek. XIX përmes ndërtimit të kanalit Moravë-Vardar, për çka shprehën interesim disa kompani të njohura të kohës (dy franceze, një gjermane, një angleze dhe një amerikane). Për shkak të terrenit të komplikuar (për rrugën lundruese duhej të ngrihej një sistem i tërë kaskadash e kanalesh për t’i eliminuar dallimet hipsometrike prej 491,6 m), kostos së lartë financiare dhe ndërhyrjes së Rusisë për të qenë sa më shumë e pranishme në Ballkan, projekti dështoi. Por në kokat e serbëve të Serbisë së atëhershme ishte e ngulitur thellë aspirata për dalje në det, sikundër që dhe në Serbinë e sotme ende gjallojnë këto aspirata (për kanalin Moravë-Vardar vetëm para disa viteve insistonte dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq, disa ministra të Qeverisë së Serbisë, analistë etj.).
“Korrigjimi” apo “rirregullimi” i territorit midis Kosovës dhe Serbisë e kthen Kosovën në fund të viteve ‘40, kur me Kushtetutën e R. P. të Serbisë të 17 janarit 1947 dhe në mbështetje të ligjeve për ndarjen administrative-territoriale të viteve 1947-1950, Serbia 7 fshatra të Karadakut të Preshevës ia barti rrethit të Preshevës (Stanec, Maxhere, Depcë, Peçenë, Ranatoc, Caravajkë dhe Sefer), që deri atëherë i takonin rrethit të Gjilanit. Po kështu veproi edhe me fshatrat Dobrosin e Konçul të cilat para se t’i bashkoheshin komunës së Bujanocit i kishin takuar Ranillugut në Kosovë, sikundër dhe dy fshatrat e Malësisë së Bujanocit, Zarbinca dhe Priboci. Ka sa vite që Lutfi Haziri, sot kryetar i komunës së Gjilanit dhe funksionar i lartë i LDK-së (më herët dhe funksionar i pushtetit Qendror të Kosovës), ripërsërit kërkesën që këto 11 fshatra t’i kthehen Kosovës dhe me këtë të kthehet kufiri në vijën e vitit 1956 (sic!), gjë që është e pasaktë, sepse në këtë vit nuk ka pasur asnjë lëkundje e kufijve të brendshëm të Kosovës, por vetëm në vitin 1959 dhe atë vetëm në veri të Kosovës, si dhe, siç theksuam, deri në vitin 1950 në lindje të saj! Si zë më i fuqishëm për “rishikimin” apo “rirregullimin” e kufirit Kosovë-Luginë, Haziri ose nuk e ka të qartë konceptimin hapësinor të Luginës, si shumëkush tjetër, ose pas këtij insistimi të tij qëndron ndonjë interes tjetër (brenda garës ndërpartiake dhe brendapartiake lufta për votat e shqiptarëve të Luginës, që kanë mbetur në komunën e Gjilanit nga konflikti i armatosur i vitit 2000). E kemi dëgjuar sa e sa herë duke qenë aq konfuz sa shtrirjen e vendbanimeve të banuara nga shqiptarët andej hekurudhës e ngatërron me ato këndej hekurudhës.
Në fund të viteve ‘50 Serbia bëri hapin tjetër në drejtim të organizimit më të qëndrueshëm dhe efikas territorial dhe administrativ, por që kishte për qëllim krijimin e një entiteti më heterogjen etniko-demografik. Kështu më 26 nëntor 1959 Serbia ia “dhuroi” Kosovës 197 km2 të rrethit të Rashkës, me 45 vendbanime, që i shkuan qarkut të Zveçanit dhe në tërësi komunës së vogël, tashmë ekzistuese në Kosovë të Leposaviqit, me 26 fshatra më 3 prill 1952 me ç’rast u ndryshua pak përbërja nacionale e Kosovës. Leposaviqi si vendbanim dhe komunë e vogël pra gjithnjë ka qenë në Kosovë dhe kurrë nuk ka pasur këmbim midis Preshevës dhe Leposaviqit, siç flasin të painformuarit. Presheva me rrethinë gjatë LNÇ-së ishte e lidhur me celulat partiake të Maqedonisë (Abdulla Krashnica nga Presheva ishte delegat i ASNOM-it, të mbajtur në Manastirin Prohor Pçinjski), ndërsa pas kësaj lufte, varësisht nga interesat politike dhe raporti i forcave midis Serbisë dhe Maqedonisë, Lugina mbeti nën Serbi dhe i takonte herë rrethit të Vranjës e herë të Leskovcit; një kohë kur u suprimua rrethi i Preshevës kompetencat i mori rrethi i Bujanocit.
Shtatë fshatrat e Karadakut të komunës së Preshevës kanë një territor prej gjithsej 31.2 km2, ndërsa katër fshatrat e Bujanocit kanë 53.8 km2. Një territor prej 85 km2 përveç që nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme për nga sipërfaqja, tanimë është buzë shpopullimit të plotë. Derisa sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2002 në shtatë vendbanimet e Karadakut të cilat po lakohen në kuadër të një “shkëmbimi” të mundshëm kanë jetuar 656 banorë, tashmë numri i tyre sillet vetëm në disa dhjetra. Në fshatin Sefer ka vetëm 2 shtëpi të banuara, në Stanec 5, në Peçenë asnjë, në Ranatoc 3, në Caravajkë 4, në Depcë 5 dhe në Maxhere 7. Moszhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe rritja e presionit të hapur ushtarak në zonën kufitare me Kosovën, ku shtrihen këto vendbanime, i ka detyruar banorët të shpërngulen në drejtim të Kosovës dhe vendbanimeve fushore të Luginës. Kullosat dhe pyjet të cilat nuk dallohen për masë drusore e cila do të rriste mundësitë e shfrytëzimit dhe përpunimit kanë bërë që popullsia të merret me blegtori ekstensive dhe prerjen e shitjen e drunjve si lëndë djegëse për ngrohje. “Erozioni” demografik në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar kishte marrë hov. Së bashku me izolimin komunikativ, mungesën e shërbimeve elementare dhe paisjen me infrastrukturë bazike detyroi familje të tëra të shpërnguleshin në Kosovë, Preshevë dhe gjetiu. Edhe fshatrat kufitare të komunës së Bujanocit (Dobrosini e Konçuli) janë përballur me shpërnguljet në drejtim të Kosovës. Vija kufitare e Kosovës me Serbinë ngastrën e fshatit Dobrosin e pret në mes, ndërsa largësia e madhe me vendbanimet e tjera të komunës së Bujanocit dhe vetë qendrën urbane i kanë orientuar banorët e fshatit që nevojat e veta t’i plotësojnë në qytetin e Gjilanit. Këto 15 vjetët e fundit pjesa dërmuese e banorëve të Dobrosinit janë ngulitur në Gjilan, ndërsa Zarbinca dhe Pribovci tashmë janë në prag të shuarjes së jetës.
Një skenar tjetër i “shkëmbimit” të territorit do të kishte si vijë ndarëse hekurudhën, që kap një sipërfaqe prej 398 km2 (pjesa shqiptare e Preshevës ka 207.6 km2, pjesa serbe 56.4 km2 , ndërsa pjesa shqiptare e Bujanocit ka 227 km2 dhe pjesa serbe 234 km2 ). Sipas këtij skenari Kosovës do t’i bashkohej një brez i tërë i fshatrave i cili shtrihet rrëzë shpateve lindore të Karadakut, nga fshati Miratoc e deri te fshati Lluçan, si dhe fshatrat e Malësisë së Bujanocit, përfshirë këtu edhe Tërrnocin e Turinë. Nga përllogaritjet hartografike të sipërfaqes së Luginës në perëndim të hekurudhës del që kësaj pjese i takojnë 398 km2 me 48 vendbanime. Duke pasur parasysh që brenda kësaj tërësie të përllogaritur futen edhe disa fshatra etnikisht të pastra serbe si Llapardinca, Rakoci, Sërpska Kuqa dhe Levosova, atëhere vija kufitare do të devijonte në drejtim të perëndimit për të përfshirë edhe këto fshatra në kuadër të “pjesës serbe”. Edhe nga ky skenar pala shqiptare do të dilte humbëse meqë më se gjysma e territorit do të mbetej jashtë realitetit të ri politiko-territorial, madje edhe më keq, sepse jashtë do të mbetej edhe një brez i tërë i fshatrave që shtrihen rrëzë shpateve perëndimore të Rujanit: nga Somolica e deri në Strezoc (gjithsej 9 sosh), si dhe fshatrat e fushës së Moravicës (Bukuroca, Zhunica dhe Çukarka).
Tash e sa kohë Serbia po i hulumton të gjitha mundësitë e copëtimit të territorit të Luginës, qoftë përmes formimit të komunave të reja të vogla, qoftë përmes formave të tjera, që do ta shkatërronin tërësinë territoriale, si e vetmja formë e qëndrueshmërisë afatgjate të saj. Edhe nëse Kosova dhe Serbia nën trysni të faktorit ndërkombëtar pajtohen që një pjesë e Veriut të Kosovës, nën ombrellën e demarkimit apo të rishikimit të kufijve (kthyerja e 197 km2 të vitit 1959) t’i bashkëngjitej Serbisë, nuk duhet të preket territori i Luginës. Shkatërrimi i tërësisë së saj vërtet është dhe fundi i saj. Në anën tjetër, Lugina ruhet si tërësi vetëm nëse Kosova funksionon si shtet në tërë territorin e tij prej 10.905,25 km2. E kujtojmë copëtimin e Sanxhakut pas Luftës II Botërore, që çoi në mosekzistimin e tij, ndonëse ishte njësi në vete partiake-politike gjatë LNÇ-së (Oblasni komitet KPJ za Sandžak) dhe do të duhej të kishte një status të autonomisë territoriale-politike, nëse jo si të Kosovës (Oblast), atëherë së paku një autonomi kulturore! Sanxhaku kishte 8.600 km2 dhe u nda midis Serbisë (4.600 km2) dhe Malit të Zi (4.000 km2), ndërsa për BeH nuk mbeti as “kusuri”)! Ndonëse ajo që ofron Haziri mbetet për hamendësime të ndryshme, megjithatë Serbia dhe mund ta pranojë “ofertën” e tij nga se sikur nuk jep “asgjë”, ndërsa merr “gjithçka”! Por Haziri duhet të tregojë prerazi çka duhet Kosova të marrë nga Serbia, cilat vendbanime, sa sipërfaqe do të ketë atëherë Kosova dhe ku mbetet pastaj vija kufitare dhe çka duhet t’i jepet Serbisë, cilat vendbanime, sa sipërfaqe do të ketë Serbia dhe ku do të jetë kufiri. Opinionet politike për çështje të ndjeshme, pa argumente shkencore, janë joproduktive dhe të rrezikshme.
Serbia do të ishte gati ta jepte edhe qytetin e Preshevës nga se është i pazhvilluar dhe në të nuk ka më tepër se njëqindë serbë, të shkepur në qytet, dhe një koloni e vogël, e përqendruar në Stacionin hekurudhor. Mirëpo, Presheva nuk është e tërë Lugina. Lugina është territor shumë më i madh me sipërfaqe dhe popullatë. Çfarëdo që të jetë madhësia popullative-territoriale e pjesës së mbetur, ajo në pikëpamje biologjike-demografike dhe të emigrimit intensiv do të “shuhet” për pak vite. Vetëm si tërësi Lugina mund të qëndrojë, ashtu siç ka rezistuar Kosova si tërësi këto 100 vjetët e fundit përkundër represionit pushtetor, shpërnguljeve të dhunshme dhe presionit ekonomik. Vetëm si popullatë e madhe kanë rezistuar shqiptarët e Maqedonisë këto 7-8 dekadat e fundit. Elementi shqiptar në vendbanimet e Prespës dhe rrethinat e Manastirit tashmë është stërholluar aq shumë sa që për pak vite mund të mos ekzistojë! Edhe nëse shkëmbehet Lugina, përfshirë hekurudhën dhe autostradën, me Veriun e Kosovës, në dukje si përfitim maksimal i shqiptarëve, duhet të peshohet mirë se edhe në këtë variant përsëri del fituese Serbia, sepse Veriu i Kosovës posedon pasuri të mëdha minerale dhe ujore dhe kjo duhet të jetë vija e kuqe. Edhe sa i përket madhësisë territoriale, Kosova është humbëse nga se hapësira mbi Ibrin ka një sipërfaqe prej 1.002 km2 , kurse Lugina me rripin shqiptar ka një sipërfaqe prej 434.6 km2. Edhe nëse do të merreshin hekurudha, autostrada dhe Korridori X, a do të mund t’i menaxhonte Kosova këto sisteme të mëdha infrastrukturore në raport me interesat vitale që i ka Serbia me Maqedoninë dhe Greqinë dhe veçanërisht me lidhjen emocionale për hekurudhën?!
E arritura më e madhe këtë shekullin e fundit është çlirimi dhe pavarësia e Kosovës dhe ruajtja e integritetit territorial në kufijtë ekzistues, në madhësinë territoriale prej 10.905,25 km2, siç e konfirmoi Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës në janar-shkurt të vitit 2017. Çdo aventurë tjetër, p.sh. për “rirregulimin” e territorit, që po e mban të hapur si temë tash e sa kohë Lutfi Haziri e të tjerët, e ku përfiton më së shumti Serbia, është tragjedi e radhës edhe për Kosovën edhe për Luginën. Profiterët politikë dhe materialë të Luginës dhe të Kosovës po shtiren sikur po e bashkojnë Luginën me Kosovën, pa llogaritur se po i bëjnë dëm edhe njërës edhe tjetrës; kjo sjellje çon në disavantazh të drejtpërdrejtë të avancimit të statusit politiko-territorial të shqiptarëve të Luginës. Të gjitha rikomponimet e brendshme territoriale të Kosovës (Plani i Ahtisarit si dokument ndërkombëtar i futur komplet në Kushtetutën e Kosovës) dhe proceset e tjera derivojnë nga takimet e Vjenës në vitet 2005-2007, ku nuk janë përmendur me asnjë fjalë Lugina dhe shqiptarët e atjeshëm, të paktën në kontekst të amortizimit të privilegjeve maksimaliste të serbëve të Kosovës. Në ato takime ka marrë pjesë edhe Lutfi Haziri. As në takimet e Brukselit (2015) nuk është zënë në gojë Lugina e Preshevës dhe shqiptarët. Çka duan tash Hazirat andej e këndej kufirit?! Rivizatimi i hartave në Ballkan ka marrë fund, ndërsa përpjekja e hapjes së temës së ndryshimit të kufijve me çdo kusht në çfarëdo pjese të Ballkanit pa dyshim që çon në konflikte të përgjakshme, transfer të popullatës, spastrim etnik etj. Më së paku kjo sot u duhet shqiptarëve kudo që janë. E nesërmja është diçka tjetër.
Autor të shkrimit janë :Dr. Hivzi ISLAMI, Dr. Arsim EJUPI

Baby Boo