Ndahet nga jeta Prof. Dr. Branisllav Sinadinovski, i mbeti peng themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare


Bota universitare në Maqedoni të Veriut ka pësuar humbje, pasi është ndarë nga jeta Prof. Dr. Branisllav Sinadinovski.
Profesor Sinadinovski për opinionin publik është i njohur për guximin për rikonfirmimin e identitetit të tij shqiptar ortodoks me origjinë nga Reka e Epërme.

Për këtë, nga Universiteti i Tetovës kanë dërguar telegram ngushëllimi duke kujtuar rolin e rëndësishëm që profesor Sinadinovski e ka pasur në shoqëri.
“Ne si Universitet, që ka në fokus studimin, kultivimin, mbrojtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, kemi zhvilluar një bashkëpunim të frytshëm me Prof. Dr. Branisllav Sinadinovskin dhe e kemi mbështetur botimin e librit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, studim me vlera të larta historike-shoqërore, i cili ofron dëshmi të pakontestueshme për një çështje tejet të ndjeshme siç është ajo e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij botimi, ai la pas hulumtime disavjeçare për këtë pjesë të popullit shqiptar, i cili ashtu si edhe pjesa tjetër e shqiptarëve gjatë historisë, janë përballur me vështirësi të shumta”, thuhet mes të tjerash në telegram ngushëllimin e UT-së.

Kanë kujtuar gjithashtu, se peng i Sinadinovskit ishte themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare.
“Profesor Sinadinovski deri në vdekje mbrojti kauzën për të cilën besonte se shqiptarët ortodoksë në vendin tonë dhe në vendet tjera janë popull autokton që e flasin gjuhën shqipe, dhe si të tillë janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar. Ai, e mori me vete “pengun” e (mos)themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe mbajtjen e meshës në gjuhën shqipe, prandaj mbetet në detyrën e studiuesve të tjerë që ta realizojnë edhe këtë synim madhor”, thuhet më tej në telegram ngushëllimin e dërguar nga rektori, Vullnet Ameti.

Më tej në telegram, nga UT-ja kanë shprehur mirënjohjen për kontributin e çmuar për zbardhjen e së vërtetës për ortodoksët shqiptar dhe kanë shprehur ngushëllime ndaj familjes së tij, miqve, kolegëve dhe mbarë komunitetit shqiptar ortodoks.

Baby Boo