MONSTRA, KU ËSHTË ÇELËSI I OMEGËS?! “MPB KA MONTUAR GJURMËT PËR TË AKUZUARIT”


Për rastin “Monstra” në procedurën paraprake, lëndë e analizës ishin automjetet “Opel Omega”, “Golf seria 3”, “Volksvagen Pasat”, “Pezho 306” dhe “Mazda 626”. Eksperti, i cili ka punuar në analizat e identitetit të automjeteve përmes sistemit evropian për regjistrimin e automjeteve, sqaroi se numri i identifikimit të automjeteve përmban 17 numra, përmes të cilave ai automjet dallon nga të gjithë automjetet e tjerë nga lloji i njëjtë. Nga pala mbrojtëse e të vrarëve, thonë se janë bastisur veturat në të gjitha pjesët e brendshme dhe janë gjetur disa dëshmi për automjetin ngjyrë vishnje.

“Të gjitha katër veturat janë origjinale me tabelat e regjistrimit. Megjithatë, edhe Opel Omega me targa SK-499-MT është origjinale, por targat i përkasin një veture tjetër të tipit Mercedes, e cila është importuar nga jashtë”, tha Dafinka Ivanovska, avokate.

Në pyetje të PPS-së, se a ka pasur çelës vetura kur është kryer inspektim, eksperti tha se automjeti ishte me çelës origjinal, me të cilin e ka ndezur makinën dhe sipas tij, nga bord kompjuteri ka parë se ka karburant për edhe rreth 130 km. Familjari i të akuzuarve Bedri Ajdari thotë se tani çelësi është zhdukur.

“Në hapësirat e MPB-së nuk kishte hapësirë për Opel Omegën, kurse kishte hapësirë për veturat tjera të parëndësishme të konfiskuara për ndonjë kundërvajtje. A e keni tani të qartë se për çfarë bëhet fjalë? Ku është çelësi? As nuk e kemi pasur ne për ekspertizë, por çelësi qëndronte në MPB, pra ‘dallavera’ është këtu”, u shpreh Bedri Ajdari, familjar.

Paraprakisht, ekspertët, të cilët kanë kryer analiza të gjurmëve nga gishtat dhe gjurmë të automjeteve, kanë thënë se pas analizës së kryer tek gjurmët nga automjetet, tek “Pezho 306”, janë identifikuar gjurmët e Halil Demirit dhe të Sami Lutës, i cili më vonë është vendosur në sistemin për analiza nga SPB Shkup, ndërsa tek gjurmët nga “Volksvagen Pasat” janë identifikuar personat Halil Demiri, Agim Ismailoviq dhe Fejzi Haziri.

“Është shumë e çuditshme se automjeti nuk është siguruar ashtu siç duhet si provë materiale sipas ligjit, e njëjta tani është pa çelës. Nuk dihet se kur dhe ku është sjell, në një periudhë prej një vjet e gjysmë as nuk është ditur se ku është fizikisht vetura”, u shpreh avokati Naser Raufi.

Kryetari i këshillit gjyqësor Ognen Stavrev, në fillim informoi se ende nuk ka përgjigje në kërkesën për ekstradimin e dy të akuzuarve, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët janë në arrati në Kosovë.

Rasti “Monstra” në shkurt të këtij viti filloi nga fillimi dhe ende gjendet në procedurën e dëshmive.

Gjykimi për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës më 12 prill të vitit 2012 vazhdon më 19 nëntor, pasi në seancën e sotme u morën në pyetje tre ekspertë nga MPB-ja, të cilët kanë kryer analiza dhe testime të disa automjeteve.

Përgatiti: Adnan Qaili

Baby Boo