Monstra, ekspertja ka falsifikuar ekspertizën? Dëshmitarja Nikollovska me deklarata konfuze, Raufi do e padisë


Snezhana Nikollovska, ekspertja e cila ka bërë analizën e dheut ku ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës erdhi për të katërtën herë për të dëshmuar për rastin Monstra. Mirëpo kësaj radhe pati disa kontradikta gjatë dëshmisë së saj. Foli për gjëra që më herët nuk i kishte thënë. Ekspertiza e saj e bërë nga dheu i Liqenit të Smillkovës dhe Vrazhivirit ka të dhëna të pasakta, thënë më saktë, ajo tha se vetë ka shtuar disa pjesë në raport. Prokurorja e lëndës Fatime Fetai e pyeti se a është e vetëdijshme se ky është dokument i rrejshëm dhe me urdhër të kujt e ka bërë këtë. Dëshmia e Nikollovskës rrezikon të kthejë gjithë kahjen e hetimit si dhe të ndikojë në vetë zvarritjen e procesit.

“Përbërja elementare e tokës dhe granulat janë tepricë, unë i vendosa. Nuk është sipas urdhërit të askujt. Nuk kam justifikim për këtë”, u shpreh gjatë dëshmisë së saj ekspertja Snezhana Nikollovska.

Ajo më tej theksoi se në këtë rast ka bërë përjashtim dhe vetë ka qenë në vendin Vrazhivir (ku është gjetur vetura “Opel Omega”) për të marrë mostër nga toka. Marrja e saj në pyetje për seancën e sotme përfundoi sot, me vendim që në pesë ditët e ardhshme të sjellë shkresa shtesë për ekspertizën, mostrën dhe licencën e saj të punës.

Avokati i palës mbrojtëse Naser Raufi tha se dëshmia e ekspertes vërteton qëndrimin e mbrojtjes se rasti “Monstra” është i montuar. Raufi më tej shtoi se do ta padisin eksperten për falsifikim të ekspertizës.

“Vetë ekspertja Snezhana Nikollovska pranoi se shteti nuk ka asnjë metodë për të analizuar tokën, e cila është një analizë shumë e vështirë. Ajo pranoi se gjatë ekspertizës përdori vetëm metodën e krahasimit, d.m.th. vetëm ngjyrën e tokës nga Liqeni i Smillkovës dhe Vrazhiviri. Për pyetjet tona, por edhe për pyetjet e Prokurorisë, ajo pranoi se kishte falsifikuar raportin e saj, dmth nuk kishte bërë analizë të elementeve të vendit. Për këtë falsifikim si mbrojtje ne do të ngritim padi penale kundër kësaj eksperte”, tha avokati i palës së akuzuar, Naser Raufi.

E avokatja e familjarëve të viktimave Dafinka Ivanovska tha se ekspertja nuk tha që dheu nuk i përket dheut nga të cilat ajo e analizoi.

“Ajo nuk tha që në fakt dheu nuk i përket vendeve të cilat i ka analizuar, megjithatë ajo tha se gjithçka që ka pasur e ka bërë në mënyrë si ka menduar se duhet, me metodat më të sofistikuara, ka qenë profesioniste, ka qenë e trajnuar, ka pasur edhe licencë dhe e ka bërë në mënyrën siç duhet. Ajo ishte kategorike se atë që e ka bërë dhe dheu që është marrë nga ekipet në vendngjarje është nga vendi ku edhe ka ndodhur vepra”, u shpreh avokatja Dafinka Ivanovska.

Sot gjithashtu dëshmoi edhe sigurimi i dikurshëm i jashtëm i RTVM-së, tani inspektor për krim të përgjithshëm në SPB Tetovë, Armend Ganiu. Ai tha se për vrasjen ka dëgjuar nëpërmjet radio-lidhjes dhe se ka biseduar me të afërmit e tij për të mësuar diçka më shumë rreth ngjarjes.

“Përmes lidhjes dëgjova se diçka ka ndodhur në Butel. Më pas iu lajmërova Fadilit, sepse ai në atë kohë ishte i afërm me Menduh Thaçin dhe ai nuk e dinte. Unë isha i shqetësuar dhe prandaj iu lajmërova por as ai nuk dinte asgjë”, pohoi inspektori Armend Ganiu.

Me propozim të palës mbrojtëse sot dëshmoi edhe udhëheqësi i grupit të Njësitit “Alfa”, dhe një inspektor kryesor për krim teknik në atë kohë. Seanca e ardhshme e rastit Monstra është caktuar për më 16 tetor, ku është paraparë të prezentohen dëshmi nga mbrojtja.

Baby Boo