Mjekja shqiptare në Gjermani: Valën e dytë të Koronavirusit do e kalojmë më lehtë

Mjekja shqiptare që jeton dhe punon në Hanover të Gjermanisë, Aurora Meta-Dollenberg thotë se vala e dytë e coronavirus që pritet në vjeshtë do të jetë më e butë se sa piku i pandemisë që shumë vende kanë kaluar në prill.

“Një valë e dytë është më e dobët dhe deri në vjeshtë, deri në fund të tetorit mendoj se duhet të ketë dalë vaksina parandaluese. Që do t’u aplikohet pacientëve që janë mbi 60 vjeç dhe që kanë sëmundje të tjera”, tha ajo.

Specialistja e mjekësisë familjare, urgjencës dhe psikoterapisë duke komentuar situatën në Shqipëri dhe Gjermani, tha se numri i lartë i të prekurve vjen për shkak të metropoleve ku ka një numër shumë të lartë të popullsisë, ndërsa në zonat e tjera nuk paraqiten probleme.

“Në metropole në Gjermani numri i të prekure është shumë i lartë se sa në zonat e tjera dhe popullsia në Tiranë është shumë e dendur dhe e ngjeshur”, tha mjekja shqiptare.

Aurora Meta-Dollenberg theksoi se Gjermania e ka përjashtuar mundësinë e një mbylljeje të dytë pasi efektet e karantinës ishin shumë të rënda për ekonominë.

“Për fatin e keq në Gjermani kjo është përjashtuar pasi pasojat që ekonomia ka pasur janë kaq të rënda sa nuk do të ketë izolim të dytë. Jemi optimistë që epidemia është kaluar pasi grafiku i të prekurve mbetet një vizë horizontale. Popullata është e ndërgjegjshëm që të ruajë distancën dhe të mbajë maska”, u shpreh mjekja.

Për mjekët e infektuar në Shqipëri, Aurora Meta-Dollenberg tha se kjo vjen për shkak të infrastrukturës spitalore në pranimin e pacientëve.

“Në Gjermani pavarësisht diagnozës edhe nëse dërgoj një pacient në spital për infarkt të zemrës, mbahet dy ditë në karantinë dhe vetëm kur bëhen analizat dhe verifikohet se nuk është me COVID-19 vijon ndjekjen në spital. Kjo procedurë në Shqipëri nuk bëhet”, tha mjekja shqiptare.

Për pacientët asimptomatikë, ajo tha se kjo vjen për shkak të krijimit të një imuniteti natyral ndaj coranavirus dhe mund t’ua transmetojnë virusin atyre që janë mbi 60 vjeç dhe që kanë sëmundje të tjera.

“Për veten e tyre janë shumë në rregull se kanë krijuar një imunitet natyral dhe janë të mbrojtur nga çdolloj infeksioni që do ë vijë në të ardhmen, por e përhap tek pacientët me gjendje të dobët imunitare”, u shpreh mjekja e familjes.

“Që nga mesi i prillit, kur u arrit piku i krizës, jemi në një gjendje të qëndrueshme. Pacientët ndihen më të sigurt dhe frika dhe ankthi janë larguar. Në Gjermani është rikthyer normaliteti, por janë me maska dhe janë të kujdesshëm për distancën”, përfundoi mjekja shqiptare.