Mjekët e rinj të Maqedonisë, të painteresuar për të punuar në ambulanca


Deri në fund të këtij viti 30 mjekë amë nga i gjithë vendi dalin në pension, me çka rreth 60.000 pacientë mbeten pa mjek amë. Mjekë të rinj ka, por interesimi i tyre për tu punësuar nëpër ambulanca është i ulët. Shumica e tyre janë të koncentruar që profesionin e tyre ta ushtrojnë jashtë Maqedonisë, në vendet e BE-së. Shoqata e mjekëve amë alarmon për krizë të thellë në mjekësinë primare nëse nuk ndërmerren masa konkrete menjëherë, njofton Alsat M.

“Ka mjek të cilët duan të mbeten në Maqedoni dhe të punojnë këtu, por e përsëris këtu paraqiten disa probleme të cilat e rëndojnë pozitën e tyre si mjek të rinj. Që ne ta stimulojmë mjekun e ri të punojë këtu tek ne në Maqedoni, qoftë në sektorin privat apo shtetëror duhet t’i japim një pagë të denjë, për t’i dhënë pagë të denjë duhet të hyj në fuqi kërkesa jonë që e kemi prej dhjetë vitesh, që pacientët të shkojnë ne ordinancë dhe jo në mjek, dhe licenca e punës të mbetet në ordinancë dhe jo tek mjeku. Fillim të krizës do të kemi nëse menjëherë nuk ndërmerren masa. Ndonjë mënyrë duhet menjëherë tani të gjendet”, deklaroi Lupço Stefanovski, gjinekolog “Shoqata e mjekëve privat amë të Maqedonisë”.

Ministri i Shëndetësisë tha se po shqyrtohen disa alternativa që ky problem të tejkalohet.