Mitet rreth fertilitetit dhe vaksinës kundër COVID-19


Pretendimet mashtruese dhe të rreme se vaksinat kundër koronavirusit dëmtojnë fertilitetin dhe shkaktojnë abort, janë ende duke qarkulluar nëpër internet, pavarësisht të dhënave për të kundërtën.

Mjekët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm se çfarë rekomandojnë gjatë shtatzënisë, andaj këshilla fillestare ka qenë shmangia e vaksinës.

Mirëpo tani, aq shumë të dhëna për sigurinë janë bërë të qasshme, saqë edhe këshilla ka ndryshuar dhe inkurajohet marrja e vaksinës, meqë infektimi me koronavirus mund të rrezikojë shtatzëninë.

Transmetuesi britanik BBC ka analizuar disa prej pretendimeve që qarkullojnë më së shumti online dhe ka sqaruar pse ato janë të gabueshme.

Një studim tregon se vaksina grumbullohet në vezore – E pavërtetë

Kjo teori vjen nga një studim që i është dërguar rregullatorit japonez, por i cili nuk është interpretuar mirë.

Në studim janë përfshirë minj, të cilëve u është dhënë dozë, sasi shumë më madhe e vaksinës, sesa iu jepet njerëzve (1.333 herë dozë më e madhe).

Vetëm 0.1 për qind e dozës totale ka përfunduar në vezoret e kafshëve, 48 orë pas marrjes së vaksinës.

Pas një ore të vaksinimit 53 për qind e dozës së vaksinës është gjetur në vendin e vaksinës – që për njerëzit është krahu – dhe 25 për qind pas 48 orëve.

Vendi më i shpeshtë ku është gjetur dozë vaksine ka qenë mëlçia (16 për qind pas 48 orëve), e cila ndihmon në largimin e produkteve jo të duhura nga gjaku.

Vaksina hyn në organizëm përmes një flluske yndyre, e cila përmban materialin gjenetik të vaksinës, për të nisur më pas aktivizimin e sistemit imunitar.

Personat që kanë promovuar këtë pretendim, kanë përdorur këto shifra që në fakt i referohen koncentrimit të yndyrës në vezore.

Nivelet e yndyrës në vezore janë rritur pas 48 orëve të marrjes së vaksinës, pasi vaksina ka kaluar nga zona e injektimit në pjesën tjetër të trupit.

Mirëpo nuk ka pasur të dhëna se aty ende ka pasur material gjenetik të virusit.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur pas 48 orëve, pasi studimi ka qenë i kufizuar deri aty, mirëpo pritshmëritë janë që nivelet kanë rënë sërish në zero.

Baby Boo