Misteri i arkës së BIK-ut në Mitrovicë, që përplasi dy grupet e imamëve


Në prag të zgjedhjeve të reja, me emërimin e imamit Enis Rama si kryetar të përkohshëm, Këshilli i Bashkësisë Islame në Mitrovicë po ballafaqohet me probleme të brendshme.

Një prej çështjeve që po e mban pezull konsolidimin e institucioneve të BIK-ut në Mitrovicë ka të bëjë me paratë. Konkretisht me arkën e Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë komunë.

Pavarësisht insistimit të Kryesisë së BIK-ut në Mitrovicë për t’u bërë kontrolli i gjendjen së arkës dhe për t’u vërtetuar rrjedha e mjeteve financiare, arka mbetet e bllokuar.

Më 16 janar të këtij viti, Kryesia e BIK-ut në Mitrovicë mori vendim për formimin e komisionit për kontrollimin e arkës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë. Islam Hasani u emërua kryetar, ndërsa Tanseli Rogova dhe Granit Berisha anëtarë.

Komisioni, sipas këtij vendimi, ka pasur 14 ditë afat për kontrollimin e arkës.

Afati ka filluar më 20 janar, por nuk ka arritur ta përmbush misionin me të cilin është ngarkuar nga Kryesia e BIK-ut në Mitrovicë.

Pengesë për mbajtjen të paprekur të arkës, të mbushur nga fondet dhe donacionet e ndryshme nga brenda dhe jashtë vendit, dyshohet të jetë përplasja mes grupeve të imamëve në Mitrovicë. Përplasje, e cila po e mban pezull mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të parapara të mbaheshin në fillim të këtij viti.

Shefqet Bilalli, arkëtar i Këshillit të BIK-ut në Mitrovicë, ka thënë se problemet me arkën janë shfaqur shkaku i përplasjes mes grupeve të imamëve.

“Kush nuk ka lejuar hapjen e arkës, është vetëm ish-kryetari. Unë dokumentacionin e kam, të cilin krejt ia kam prezantuar. Tash janë problemet e shfaqura shkaku i grupacioneve të krijuara aty”, ka thënë Bilalli për Insajderin.

Bilalli ka thënë se ai u ka dhënë leje komisioneve të krijuara nga Kryesia e BIK-ut në Mitrovicë për të kontrolluar të ardhurat e Këshillit.

“Edhe komisioneve të Kryesisë, e po ashtu edhe komisioneve të Këshillit, unë u kam dhënë leje të plotë për kontrollin e arkës. Pozicionimi im është që ne të jemi më unik”, ka deklaruar Bilalli, në një bisedë telefonike.

Arkëtari i Këshillit të BIK-ut në Mitrovicë ka nënvizuar se arka është kontrolluar deri në vitin 2011 nga kryesitë e BIK-ut.

Sekretari i Këshillit të BIK-ut në Mitrovicë, Izet Feka, ka mohuar të ketë pasur pengesa nga ish-kryetari, Irfan Krasniqi, për kontrollin e arkës së Këshillit.

“Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë, aq sa kam punuar me ish-kryetarin, Irfan Krasniqin, mund të them që ai ka punuar me shumë sinqeritet”, ka deklaruar Feka për Insajderin. “Komisioni ka ardhur tek kryetari, por ai ka thënë se kontrolli mbi arkën merr shumë kohë. Ajo [arka, v.j] duhet kontrolluar në kohëzgjatje prej dy tre muajsh”.

Irfan Krasniqi është shkarkuar javën e kaluar nga pozita e kryetarit të Këshillit të BIK-ut në Mitrovicë.

Kryesia e BIK-ut, në një mbledhje të mbajtur më 13 shkurt, emëroi Këshillin e Përkohshëm të BIK në Mitrovicë.

Imami Enis Rama u emërua kryetar, ndërkaq dy imamët Sadik Avdiu dhe Cena Bala, u emëruan anëtarë.

Sipas vendimit të Kryesisë së BIK-ut, mandati i përkohshëm i këshillit të emëruar është 2 muajsh. Fillon më 18 shkurt dhe mbaron më 18 prill. /Insajderi

Baby Boo