Ministrja Deskoska nuk ka informacion për emërimin e Subhi Jakupit gjykatës


Nuk kanë të ndalur reagimet e opinionit pasi ish anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi është emëruar për gjykatës në Gjykatën e lartë administrative. Ai dhe disa anëtarë tjerë dhanë dorëheqje pasi ambasadori amerikan, Xhes Bejli publikoi aferë lidhur me bonuset në KSHZ. Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zharko Karaxhovski thotë se ata që janë zgjedhur, janë personat e duhur për kryerjen e postit të gjykatësit. Vërejtjet se në Këshillin gjyqësor emërohen gjykatës të afërt me partitë, i vlerësoi si shpifje dhe spekulime, për të cilat thotë se ka pasur dhe do të ketë.

Është e qartë se për shumicën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor ishte kandidati më i mirë. Nuk kishte njëzëshmëri gjatë votimit, por e fitoi numrin e nevojshëm të votave dhe këtu s’kam çfarë të them më shumë. I kemi parasysh të gjitha vërejtjet, por emërimi ishte ashtu edhe siç përfundoi. Qëndrimi i Këshillit gjyqësor është se, ata që janë emëruar janë zgjedhja e duhur ndërsa lidhur me dyshimet në opinion, nuk do të isha përgjigjur”- tha Zharko Karaxhovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.

Njerëzit në Maqedoni janë këta që janë. Në periudhë të caktuar gjenden në këtë apo atë detyrë gjatë avancimit të tyre nëpër funksione dhe nuk përjashtohet që të emërohen persona që ndonjëherë kanë qenë nëpër poste politike. Se sa ka ndikim politika gjatë emërimit pikërisht për këtë kandidat dhe a është kjo kyçe, mbetet të shihet”- u shpreh Xhemail Saiti, kryetar i Shoqatës së gjykatësve

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska tha se ka dëgjuar reagime të caktuara për përzgjedhjen e gjykatësve të caktuar nëpër gjykatat e vendit, por se nuk ka informacione kush ka qenë i paraqitur e kush ka rënë nga përzgjedhja.

Dëgjova kush është përzgjedhur. Unë asnjëherë pas emërtimit tim në këtë funksion nuk kam qenë në seancë të Këshillit Gjyqësor ndërsa do të vëreni se edhe në ndryshimet e ardhshme që do t’i bëjmë në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, do të vendosim dispozitë ligjore ku do të ndalohet thirrja apo prezenca e ministrit të drejtësisë në seanca ku debatohet për emërim, shkarkim apo përgjegjësi nga gjykatësit”- theksoi Renata Deskoska, ministre e drejtësisë.

Ndryshe, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, anëtarët e KSHZ-së e “qerasën” veten me bonuse prej katër rrogave mujore ndërsa për punën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016-të, kanë marrë bonus prej pesë rrogave mujore. Kjo do të thotë se për 12 muaj, anëtarët e KSHZ-së kanë marrë nëntë rroga shtesë si shpërblim. Jakupi për Alsat M tha se ka aplikuar personalisht dhe se nuk është propozuar nga askush. Ai thotë se është njeri i duhur për atë pozitë, se ka kualifikimin e duhur dhe thotë se emërimi i tij ka marrë mbështetje unanime në Këshillin Gjyqësor.

Baby Boo