Ministria e Arsimit mbyll kopshtin ku ndërroi jetë fëmija 3 vjeç


Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e kopshtit privat “Flatrat e Dijes” ku disa javë më parë në Fier gjeti vdekjen në fëmijë 3 vjeç. Rasti në fjalë tronditi mbarë opinionin publik. Grupi i punës për inspektimin e këtij kopshti ka gjetur këto shkelje:

“Nuk ka drejtues Didaktik. Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin. Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57. Nuk plotëson standardet infrastrukturore. Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar. Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit”.

Emisioni “Stop” transmetoi dëshminë e prindërve të vogëlushit të ndjerë dhe se si eduktatorja Redina Binjaku, e cila është arrestuar për ngjarjen ka dhënë dy versione për vdekjen e djalit.
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” mundi që të futej brenda ambienteve të kopshtit ku tregohej se ambientet e një vile 3-katëshe ishin përshtatur për kopsht privat. Por pjesa e shkallëve nuk ishte shumë e mbrojtur mirë dhe pjerrësia e tyre përbën rrezik për fëmijët.

“Nga pamjet që kam parë fillimisht dua të evidentoj një fakt që shkallët, ambientet, hyrja, boshllëqe e mundshme nëpër kthinat e zbritjes së shkallëve apo muret e caktuara, elementë të tjerë që mund të jenë të rrezikshme për fëmijët dhe për këto duhet patjetër që të mendohet për protokolle të reja të sigurisë së tyre. Nuk mundet që të jenë të rastësishme dhe të lihen në dorë të edukatorit, i cili në një rast të caktuar s’mund ta ketë vëmendjen për t’i ruajtur fëmijët të gjithë menjëherë”, tha eksperti Karamuça.

Nga ana tjetër ambientet e kopshtit duhet të jenë të gjithë të monitoruar me kamera. Por “Stop” zbuloi se korridori ku pretendohet të ketë ndodhur tragjedia nuk kishte kamera. As dhomat e gjumit dhe kuzhina nuk ishin të survejuara me kamera./tvklan.al

Baby Boo