Ministrat po ndërrohen, Teatri mbetet jofunksional, 60 milion denarë shtesë për përfundimin e Teatrit Shqiptar (VIDEO)


Ministrat e Kulturës po ndërrohen, por Teatri shqiptar në Shkup ende mbetet jofunksional.

Tashmë 5 vjet punimet po zvarriten.

Kur ministre e Kulturës ishte Elizabeta Kançevska-Milevska, u premtua se gjërat do të përfundonin për një vit e gjysmë. Megjithatë, afatet janë shtyrë disa here. Me ndërrimin e Qeverisë, Ministër i kulturës u bë Robert Allagjazovski, pas tij erdhi edhe Asaf Ademi, edhe ai dha dorëheqje, por punimet në teatër mbeten të pa përfunduara.

Tani Kultura ka ministër të ri, Hysni Ismajlin.

Ky i fundit thotë se problem është financimi, ndërsa për përfundimin e punimeve në teatër, ka kërkuar 60 milionë denar, mjete shtesë nga Qeveria.

“Në aspektin e Teatrit shqiptar në Shkup ishte problemi i financimit, aty kishte diçka parregullsi ose nuk mbërritshin mjetet. Ishte paraparë 50 milion, ishin dhënë 40 milion, ato i kanë shfrytëzuar ndërkohë kishin kërkuar edhe 19 milion ose 60 milion denarë tjera për mobilimin, enterierin. Unë arrita me përpjekjet e stafin këtu që të kërkojmë në Qeveri, të na lejohet mundësia t’i jepen edhe ato 60 milion shtesë që ka nevojë teatri, që ta përmbylle krejt atë procesin, që të nise me funksionim”, deklaroi Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili.

Për momentin të punësuarit në teatër janë në pushim kolektiv vjetor.

Aktorët shfaqet i përgatisin dhe i realizojnë në Teatrin e Komedisë.

Por aty janë edhe aktorët turq dhe maqedonas. Aktori Visar Etemi thotë se shpesh ka ndodhur që të kenë problem për terminë.

“Është tepër budallallëk i madh, duke e pasur shtëpinë tënde, të dalësh të jetosh diku me qira. Por besoj që edhe drejtuesi i teatrit tonë, kolegu ynë Adem Karaga, nuk e ka lehtë ta komentoj këtë situatë, sepse ai nuk i jep të hollat nga xhepi i vet për rinovimin e tetarit”, tha Visar Etemi, aktor.

Sipas Etemit, teatri pritet do të hapet nga mesi i gushtit. Ai paralajmëroi se do të përgatisin një shfaqe për hapjen solemne.

Sipas kontratave nga dokumentacioni projektues për pesë vitet e kaluara, rikonstruimi i objektit të vjetër dhe adaptimi në objekt të ri shënon vlerën e 9,1 milionë eurove.

Baby Boo