Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen fizikisht, Osmani: Moment historik për Maqedoninë


Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO siguron stabilitet në rajon, teksa vendi po i promovon vlerat e Aleancës në Ballkanin Perëndimor dhe po kontribuon në tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Kështu deklaroi Ministri i Jashtëm, Osmani gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, ku vendi po përfaqësohet për herë të parë fizikisht.

“Është moment historik për mua dhe vendin tim. Është hera e parë ndonjëherë që një ministër I jashtëm ulet fizikisht në tryezën e takimit të ministrave, duke e përfaqësuar Maqedoninë e Veriut si anëtare të plotfuqishme. Ditëve në vijim do ta festojmë përvjetorin e parë, u bëmë anëtare më 27 mars të vitit të kaluar. Anëtarësimi në NATO është realizimi i qëllimit tonë strategjik”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi rishikim të Strategjisë së NATO-s, me të cilën funksionimi i NATO-s t’i përshtatet sfidave aktuale.
“Uniteti ynë varet nga angazhimi ynë për ta mbrojtur njëri-tjetrin, duke përdorur më shumë fonde të përbashkëta në mbrojtje. NATO 2030 ka të bëjë me zgjerimin e agjendës së sigurisë, pajtimin, sigurimin e infrastrukturës relevante, telekomunikacion, rrjet 5G, teknologji e duke u përballur me ndryshimet klimatike. Të gjitha këto çështje janë të rëndësishme për sigurinë tonë dhe NATO duhet ti zgjidh në kohë”, theksoi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Sekretari i Shteteve të Bashkuara, Blinken u zotua për revitalizim të partneritetit mes SHBA-së dhe Aleancës me Presidentin Bajdën.
“Arsyeja kryesore pse jam këtu dhe ajo pse Presidenti Bajdën na kërkoi të marrim pjesë është ta riafirojmë fuqishëm angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe partneritetit tonë. Jemi të vendosur ta revitalizojmë aleancën tonë, partneritetin tonë”, pohoi Antoni Blinken, Sekretar shteti i SHBA-së.
Temat e diskutimit në samitin e ministrave të Jashtëm të NATO-s janë shqetësimet mbi Kinën dhe Rusinë, si dhe e ardhmja e misionit të aleancës perëndimore në Afghanistan, ku gjenden 9.600 ushtarë të saj

Baby Boo