Meta propozoi Vitore Tushën në krye të KLSH, gjykatësja që la në qeli Fatos Nanon


Vitore Tusha duket se do të jetë emri i ri në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas përfundimit të mandatit të Bujar Leskajt.

Përmes një njoftimi për mediat, presidenca ka bërë me dije se Presidenti Meta ka vendosur ta propozojë atë si personin më të përshtatshëm në këtë post, transmeton TCH.

“Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërperë të znj.Tusha, në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Presidencës.

Gjyqtarja që la në burg Fatos Nanon

Vitore Tusha mban gradën doktore shkencash. Ajo është anëtare e Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2008 e gjithashtu anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Lindur më 26 nëntor 1960 në Tiranë, ajo u diplomua në vitin 1983 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi.

Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit.

Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate.

Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.

Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Tusha është mes gjyqtarëve që kanë shpallur si jokushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike, sikurse marrëveshja e detit, apo ligji i lustracionit, ndërsa u rreshtua mes gjyqtarëve kushtetues që i thanë po ligjit të vettingut.

Por, çështja më e bujshme e shqyrtuar prej saj është regjistruar gjatë kohës që mbante detyrën e gjyqtares së Kasacionit, nga viti 1994 deri në vitin 2001.

Në nëntor të vitit 1995 , Tusha rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

Megjithatë, Nano e la burgun para kohe, pasi ndryshimet e atëhershme në Kodin Penal e ricilësuan veprën për të cilën ai ishte shpallur fajtor, duke ulur edhe parashikimin e dënimit.

Gjyqtarja e Kushtetueses Vitore Tusha e kaloi Vettingun, figurë e pastër

Më 5 Prill Vitore Tusha kaloi me sukses sprovën e Vetting-ut, teksa mbante postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Raporti përshkruan se gjyqtarja kushtetuese i ka deklaruar pasuritë e saj, të tilla si banesë në Tiranë, 500 metra toke në Farkë dhe shtëpi në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka ende pa shlyer një këst. Edhe për komponentin e dytë të Vettingut, DSIK ka referuar se gjyqtarja Vitore Tusha ka figure të pastër dhe pa lidhje të dyshimta. E njëjta gjë konkludohet edhe për aftësitë profesionale të gjyqtares Tusha pas kontrollit të pesë dosjeve gjyqësore.

Baby Boo