META NË SHKUP PRET AHMETIN, ERDHI PËR FESTËN, NUK KOMENTON ÇËSHTJEN GRUEVSKI


Gjithçka gati për ardhjen e presidentit shqiptar, Ilir Meta në Shkup.
Policia kishte pastruar parkingun në hyrje të çarshisë, por qentë endacak nuk i largon askush.

Të parët erdhën drejtorët e disa institucioneve nga radhët e BDI-së, e më pas edhe ministrat.

Arriti edhe presidenti, Meta…

Ndërkohë, për tu nisur bashkë drejt përmendores së Skënderbeut, po e presin liderin e BDI-së Ali Ahmetin. E derisa po presin, këtu ishte zëvendëskryeministri, Bujar Osmani për t’i bërë muhabet.

Më në fund Ahmeti erdhi.

Meta, Xhaferi, dhe Osmanin i prinin radhës. Fillimisht presidentit ia shëtitën çarshinë, e më pas vendosën edhe lule tek përmendorja e Skënderbeut.

Këtu vendosën të prononcohen për mediat.

“Sigurisht që është kënaqë për të nisur këtë kremtim, duke u përkulur me nderim këtu në Shkupin e vjetër, para monumentit të heroit tonë kombëtar edhe në kuadër të 550 vjetorit të kujtimit të kësaj figure të përmasave evropiane”, tha Ilir Meta, President.

“Ne si shqiptar kemi akoma punë për të bërë, por jemi krenar që i kemi shndërruar në monumente të gjithë ato idealet e tyre që i kanë pasur. Që nga ngritja e shtatores këtu përballë në Shkupin e vjetër, deri tek memoriali që ndodhet para jush, e para nesh.
Që nga Lidhja e Lezhës, Kongresi i Manastirit, Lufta Nacionalçlirimtare, deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Presidenti Meta nuk deshi të komentojë ikjen e Gruevskit nëpërmjet Shqipërisë.

“Kemi një festë të madhe sot këtu në Shkup, dhe kemi një temë mjaft pozitive dhe frymëzuese… Për çështje të tilla, edhe unë por edhe autoritetet tjera në Shqipëri kanë dhënë përgjigje edhe më parë”, tha Ilir Meta, President.

Presidenti Meta do të marr pjesë në manifestimin qendror për 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, që do të mbahet sonte.

Përgatiti: Furkan Saliu

Baby Boo