Mësuesi nga Dukagjini: Kam 5 ditë i bllokuar nga dëbora dhe jam pa ushqim… ju lutem më ndihmoni

Leka është i vetëm në një banesë në Bushalë, pa ushqim dhe pa energji elektrike. Në një lidhje telefonike me redaksinë e Report Tv, Leka thotë se ndodhet pa ushqim dhe pa energji elektrike.

“Ka rënë 1 metër borë, po pres të shoh çdo bëhet. Jam në një banesë i vetëm në Bushalë. Jam i sëmurë nga mushkëritë dhe nuk eci dot. Ushqimin unë e marr për 5 ditë por sot është e shtunë. Të iki deri tek lumi bëj 6 orë me këtë borë me këmbë. Kërkoj që kur të kalojë helikopteri të marrë mësuesit e tjerë tek Bregu i Lumit, të vijë të më marrë edhe mua. Jam në mëshirë të fatit, kërkoj ndihmë. ”-ka thënë Leka.

Dy ditë më parë, Report Tv u lidh drejtpërdrejt me Kol Vladaj, një nga 8 mësuesit e bllokuar në Dukagjin. Vladaj tha se shkolla rrezikon të shembet dhe situata mund të përkeqësohet. Ende mësuesit e bllokuar ndodhen tashmë në zonën e Bregut të Lumit duke pritur që të ketë një ndërhyrje me helikopter që ata të transportohen drejt Shkodrës