Mehmeti: Politikanët tonë do të zgjohem me atdheun e boshatisur!


Avdulla Mehmeti:
Për mortajën e bardhë dhe politikën e sotme të papërgjegjshme në Maqedoninë Veriore

Në këtë gjendje siç janë shqiptarët në Maqedoni, një ditë mund të zgjohen me harta të atdheut të boshatisur dhe me pak përmendore të vetmuara të atdhetarëve të rrejshëm në skenën e sotme politike.

Sipas të dhënave statistikore zyrtare, në vitet e fundit, një e treta e fëmijëve shqiptarë nga Maqedonia linden në botën e jashtme, madje në disa qytete me shumicë shqiptare më tepër lindin fëmijë shqiptarë në shtetet e Evropës Perëndimore se sa në vendlindjen e tyre. Kjo është barazia për shqiptarët në Maqedoninë Veriore që ua ka siguruar pushteti i derisotëm dhe politika e papërgjegjshme, duke e mundësuar largimin e së paku 1/3 së banorëve shqiptarë në botën e jashtme.

Numri i saktë i të shpërngulurve shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit nuk bëhet publik nga organet kompetente, si edhe numri i qytetarëve me përkatësi të tjera etnike, megjithatë, numri i fëmijëve të lindur në botën e jashtme është treguesi më i mirë për përmasat e kësaj mortaje të bardhë, të cilën fatkeqësisht pushteti dhe politika e paraqesin si arritjen më të madhe të periudhës së demokracisë, meqë kjo politikë me asgjë nuk ndryshon nga masat ligjore të ish-regjimit komunist për pengimin e shtimit natyror të shqiptarëve në Maqedoni (përmes ndalesën ligjore për lindjen e fëmijës së tretë në familjet shqiptare).

Me këtë dinamikë, për disa dekadat e ardhshme Maqedonia do të zbrazet nga banorët e saj shqiptarë, por edhe nga shumica e banorëve me përkatësi të tjera etnike, ndërsa strategët e kësaj politike të papërgjegjshme nuk do të jenë gjallë deri atëherë për të dhëna llogari për dështimet dhe krimin e organizuar në ditët e sotme, siç nuk kanë dhënë llogari as paraardhësit e tyre nga ish-regjimi komunist.

Qytetarët e përgjumur dhe të mashtruar nga propaganda politike e sotme, nesër mund të zgjohen vetëm me harta të atdheut të boshatisur dhe me disa përmendore të vetmuara të “atdhetarëve” të sotëm të rrejshëm.

Baby Boo