Mediat e huaja flasin për vrasjen e shoferit të ministrit Xhafaj


Në Shqipëri, Shkëlzen Qordja, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëkohësisht shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, u gjet sot i vrarë brenda një automjeti në mjediset e Gardës. Deri tani, dyshimet janë për një akt vetvrasjeje.

Njoftimi i policisë, shpjegon se Qordja “u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda”.

Sipas njoftimit “nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.

MInistri Xhafaj reagoi ndaj ngjarjes duke u shprehur se ndjehej i shokuar dhe se ka humbur “krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime”.

Përmes një deklarate zoti Xhafaj shtoi se nuk kishte “asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre”.

Lidhur me spekullimet politike dhe mediatike që pasuan ngarjen ministri i Brendshëm tha se Qordja “ishte një djalë i shkëlqyer, një punonjës i papërtuar e fjalëpak, që la një boshllëk të madh pas vetes dhe nuk e meriton në asnjë mënyrë përbaltjen”./VOA/

Baby Boo