Me dhimbje e pikëllim, përfundon mbledhja komemorative për Fadil Vokrrin


Është përkujtuar vlera prej futbollisti dhe kontributi shumë i çmuar i presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të figurës së tij.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se lajmi për vdekjen e parakohshme të legjendës së futbollit, ndodhi në kohën kur më së shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij.

Veseli: Fadil Vokrri ishte sinomim i të mirave për Kosovën

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe, humbja po ashtu… Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Fadil Vokrri ishte i të gjithëve, duke i mbijetuar kohërave të vështira për sportin dhe popullin e Kosovës.

Haradinaj: Falë tij Kosova gëzon respekt në arenën ndërkombëtare

“Falë tij, Kosova u kthye në familjen e sportit, në familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij, Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin. Një ndarje si kjo nuk është e lehtë. Ju siguroj familje e çmuar e legjendës sonë, se sot nuk jeni në dhimbje vetëm ju, jemi të gjithë sepse ai ishte i të gjithëve dhe do të mbetet i të gjithë neve në kujtimet më të mira për të”, tha Haradinaj.

Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se me ikjen fizike të futbollistit të njohur Fadil Vokrrit, mbet pa e përcjellë edhe porosinë e Al Shen-it, ish-kryetarit të klubit futbollistik Fenerbahçe, i cili një ditë më parë kishte dërguar përshëndetje dhe përqafime për të. Teksa kishte thënë “e dua si djalin tim”.

Hasani: Fadil Vokrri referenca më e mirë

“I shtrenjti miku im Fadil, po të përcjellim zemërthyer, por pafundësisht krenarë dhe falënderues ndaj Zotit që jetuam në kohën e njëjtë”, tha ai.

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, me një fjalë rasti foli sekretari Eroll Salihu, i cili tha se trashëgimia e Fadil Vokrrit është e jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se rëndësia e tij kuptohet më së miri nga boshllëku që la pas.

Ai potencoi se Fadil Vokrri ishte më meritori për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Salihu: Fadil Vokrri zuri vendin e përjetësisë

“Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA me të drejtë i atribuohet Fadil Vokrrit me shokë dhe për këtë ai zuri vendin e tij të përjetësisë në historinë e Kosovës. Emri i tij ka hapur rrugë, bile edhe pa prezencën fizike të tij”, u shpreh Saliu.

I pranishëm në këtë mbledhje komemorative ishte edhe presidenti i Federatës së Shqipërisë, Armando Duka, i cili tha se dikur e kishte pasur ëndërr që t’i prekte dorën një legjende si Fadil Vokrri

Baby Boo