Më 31 tetor seanca fillestare ndaj tri infermiereve që keqtrajtuan të moshuarën në Pejë


Gjykata Themelore në Pejë, e ka caktuar seancën fillestare për gjykimin ndaj infermierëve, të cilat dyshohen për sulm fizik ndaj një të moshuare në strehimoren “Orenda” në Pejë.

Zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti, për Albanian Post ka thënë se seanca është caktuar më 31 tetor.

“Seanca fillestare është caktuar për datë 31.10.2023, në ora 10:00”, tha Zhuti për AP.

Prokuroria Themelore në Pejë, katër muaj më parë kishte ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave me inicialet A.P., A.R., dhe R.K., të dyshuara për këtë rast.

Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.

Çfarë ndodhi në Pejë?

Më 2 nëntor, një video është publikuar në rrjetet sociale duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuare në shtëpinë e pleqve “Orenda”, në Pejë.

“Kuku”, bërtet një e moshuar e cila është zënë peng nga një vajzë – që nga veshja dukej se ishte punonjëse e institucionit për të moshuar.

Por, britmat janë krejtësisht të kota sepse e reja pamëshirshëm vazhdonte ta godiste.

“Çka po sillka more”, thotë një tjetër vajzë që xhironte dhunën që po ushtrohej brutalisht.

Në videon e publikuar vajza s’pushon së godituri, derisa e moshuara dëshpërimisht kërkon t’i ikën.

“Pak jom t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jom t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik.

E godet me gju në barkë.

Sipas ligjit në Kosovë, sulmuesja e të moshuarës në Pejë mund të dënohet me veç 6 muaj burgim, ose me gjobë

Sipas ligjit aktual në Kosovë, përkundër dhunës dhe rrethanave ku është ushtruar ajo dhunë dhe ndaj kujt, ligji maksimalisht parasheh dënim deri në tri vjet – në rastin më të rëndë.

Anton Nrecaj – Këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, kishte treguar për Albanian Post klasifikimin e veprës dhe dënimin e paraparë me ligj.

“Fillimisht kualifikimi i veprës penale është i mangët, përpos veprës penale të sulmit është edhe vepra penale tjetër; abuzimi dhe keqtrajtimi i të moshuarve. Dënimi për secilën vepër penale është nga ajo shqiptimi i gjobës deri ai me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim”, pohonte Nrecaj.
Por, tashmë vepra është kualifikuar dhe sipas prokurorisë, në këtë situatë të dhunimit të moshuarës “kemi të bëjmë me sulm”.

Arbër Jashari, njohës i fushës së Drejtësisë, deklaroi se “për këto veprime, ligji ka paraparë dënim me burgim prej 6 muaj deri ne 3 vjet”.

Por, në vepër nuk duhet të jetë vetëm sulmuesja, sqaron Ndrecaj.

“Po te njëjtën dënim duhet t’u shqiptohet edhe personave tjerë përfshirë edhe personin i cili ka xhiruar gjithë ngjarjen duke cenuar dinjitet e viktimës”, deklaroi ai.

Baby Boo