Mbi 25 raste të montuara politike presin epilog


Ministria e Drejtësisë iu bën thirrje të gjithë të dëmtuarve në raste të montuara politike që të kërkojnë dokumentacionet e nevojshme nga institucionet përkatëse, si bazë me të cilat do të vërtetohej paligjshmëria e proceseve gjyqësore. Kjo pasi me prova se procesi gjyqësor është bërë në mënyrë të paligjshme, ka mundësi të bëhet kërkesë për rigjykim.

Zëvendës ministri i Drejtësisë Oliver Ristovski kujtoi nga kontrolli në sistemin AKMIS të gjykatave, është vërejtur keqpërdorim masiv, dhënie të lëndëve në dorë, dhe kjo është bazë e mirë për të bërë kërkesë për rigjykim.

Oliver Ristovski, zv/ministër i drejtësisë

“Mbi 800 lëndë në këshillat penale gjatë vlerësimit të akuzës janë dhënë në dorë, pa kaluar në sistemin AKMIS. Tani këto të dhëna ju keni mundësi ti kërkoni. Të kërkoni të dhëna nëse lënda juaj ka shkuar në dorë…Apeloj që ne si grup pune, pra përfaqësuesit e institucioneve që janë zgjedhur që marrin pjesë në këtë trup, të takohemi sa më shpejtë në mënyrë që ju ju të keni mundësi të dorëzoni kërkesa dhe ne tua kthejmë përgjigjet”

Sllobodan Bogoevski nga Komiteti për mbrojtjen e të drejtave tha se ekzistojnë shumë raste individuale në procese civile në të cilat janë dëmtuar mijëra qytetarë, prandaj edhe pret që nga këta njerëz të ketë më së shumti kërkesa për dokumente që do tu ndihmonin të ketë një rigjykim dhe të kthejnë drejtësinë.

Sllobodan Bogoevski, Komiteti për mbrojtjen e të drejtave

“Rezultatet fillestare dëshmojnë për një shkelje masive të pozitës dhe tejkalim të autorizimeve zyrtare. Kjo sidomos në Byronë për Siguri Publike, në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Si raste masive që ne i njohim që të gjithë si të montuar, nuk janë shumë, mbi 25 raste. Por brenda tyre ka të përfshira shumë gjëra. Por ka edhe shumë raste të tjera individuale që nuk njihen shumë. Sidomos në procedurat civile në të cilat i kanë lënë njerëzi pa firma, pa pronë ose ngjashëm”

Gjatë konferencës së shoqatës Lupa e Gjelbërt dhe Komitetit për mbrojtjen e të drejtave, drejtori i DSK-së Goran Nikollovski dhe sekretari shtetëror në MPB Magdalena Nestorovska shprehën gatishmëri për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve për dokumente të ndryshme dhe shpresojnë që fillimisht, qytetarët do të kthejnë besimin në institucionet famëkeqe.

Goran Nikollovski, drejtor i DSK-së

“Ne duam që të bashkëpunojmë me ju në interes të mbrojtjes së shtetit. Ne duam që të jemi në shërbimin tuaj, dhe ju në shërbimin tonë. E dimë se kthimi i besimit nuk është diçka që ndodhë brenda nate, pasi duhet ta ndërtojmë. Për këtë qëllim do duhet të vazhdojmë me transparencë pasi gjithë ajo famë rreth punës sonë e ka sjellë këtë situatë”

Magdalena Nestorovska, sekretare shtetërore në MPB

“Nga frika iket por nga turpi jo…Pavarësisht se në ato institucione më nuk qëndrojnë personat e njëjtë, është e drejtë që atyre që u kanë shkaktuar dëmin, atyre institucione që i kanë ngatërruar punët dhe u kanë sjellë në atë gjendje, tu kërkoni zgjidhjen. Kompensimin e dëmit dhe kthimin e drejtësisë”

Një muaj më parë Qeveria formoi një trup me antarë nga të gjithë institucionet shtetërore që mund të kenë të dhëna për procese të caktuara gjyqësore. Kështu që ky trup, do të koordinojë projektin një vjeçar me të cilin iu vihet në ndihmë qytetarëve të dëmtuar nga rastet e montuara politike.

Baby Boo