Mbi 22 miliardë euro dëme të luftës të Serbisë në Kosovë


Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë zyrtarë të qeverisë dhe analistë në Prishtinë.

Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tani nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërkaq sipas analistëve, në agjendën e bisedimeve duhet patjetër të diskutohet edhe për dëmet e luftës.

Edhe pse kjo çështje nuk është trajtuar në bisedimet në Bruksel, kjo temë ishte ngritur një herë në procesin e negociatave të Vjenës, që janë mbajtur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, kjo temë qe mbyllur menjëherë, pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar.

Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest”, ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë.

Mustafa, tashme këshilltar i lartë në këtë institut, thotë se është kërkuar që kjo çështje të trajtohet edhe në bisedimet që janë zhvilluar në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në procesin e dialogut që ka filluar nga viti 2011.

Ai thotë se për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, nevojitet që Serbia të kompensojë dëmet e luftës.

“Ekipi i ekspertëve që kam udhëhequr unë në atë kohë, ka bërë një vlerësim të dëmeve të luftës për sektorë të ndryshëm, e që vlera ka arritur në mbi 22 miliardë euro. E tash natyrisht për t’u krijuar një pajtim, dhe për të parë që Serbia me të vërtet dëshiron që të lë prapa vetës politikën e (Sllobodan) Millosheviqit, ajo duhet të jetë e gatshme që të spastrojë llogaritë dhe dëmet ekonomike në pronën private dhe dëmet tjera që i ka shkaktuar Kosovës me qeverisjen e saj dhe luftën shfarosëse që ka zhvilluar ndaj shqiptarëve. Unë personalisht mendoj se për një pastrim të llogarive, për një pajtim, krahas kërkimit të faljes për dëmet, ato dëme duhet të zhdëmtohen”, thotë Mustafa.

Baby Boo