Maturantët në fokus: Mjekësia renditet e para


Statistikat e ESHS-së tregojnë se në Universitetin “Shën Krili dhe Metodi” – nga gjithsej 24.102 studentë të regjistruar, interesim më të madh ka për drejtimet e mjekësisë. Vjet, vetëm në Fakultetin e Mjekësisë janë regjistruar 2675 studentë, 836 në Farmaci dhe 579 në Stomatologji. Situatë e ngjashme është edhe në Universitetin e Tetovës dhe në “Goce Dellçev” në Shtip.

Me mbarimin e shkollës së mesme, maturantët vendosin se çfarë drejtimi t’i japin jetës së tyre. Ka prej atyre që kalojnë kohë të gjatë duke menduar se cilin drejtim ta ndjekin dhe cili fakultet prej tyre do të siguronte një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt në vendin tonë, por edhe jashtë tij.
Sipas statistikave nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” nga gjithsej 24.102 studentë të regjistruar, interesim më të madh ka për drejtimet e mjekësisë, ku në vitin e kaluar – vetëm në Fakultetin e Mjekësisë janë regjistruar 2675 studentë, 836 në Fakultetin Farmaceutik dhe 579 në Stomatologji. Këto shifra i bëjnë drejtimet e mjekësisë me interesim më të madh – me 4090 studentë.

Pas Mjekësisë, renditet Fakulteti Ekonomik me 2587 studentë dhe më pastaj vijnë Fakultetet e drejtimeve shoqërore si Filozofiku, Juridiku, Filologjiku dhe më së paku ka interesim për drejtimet e shkencave natyrore. Situata e njëjtë është edhe në Universitetin e Tetovës. Në UT, vitin e kaluar nga 6580 student të regjistruar gjithsej, vetëm në Fakultetin e Mjekësisë janë regjistruar 1940 studentë. Situatë të ngjashëm është edhe në Universitetin “Goce Delçev” në Shtip, ku numri më i madh i studenteve është në Fakultetin e Mjekësisë. Sipas statistikave të ESHS-së, nga 7221 studentë të regjistruar në këtë Universitet, në Fakultetin e Mjekësisë janë regjistruar 2403 studentë.

Maturantët thonë se përmes këtyre drejtimeve – të ardhmen e shohin më të pavarur. Maturanti Naser Veliu është shprehur se ky fenomen ndodh shkaku i frymës së re rinore e cila është krijuar kohëve të fundit në vendin tonë. “Varet se me çfarë fryme një fëmijë rritet dhe i njëjti do të vazhdoj rrugën për të ardhmen e vet në një mënyrë të përafërt me atë frymë. Por do të kisha dashur të spikas edhe mendjelehtësinë dhe dembelizmin që po na veçon si gjeneratë e re, ku ne shikojmë të arrijmë shumë duke dhënë pak, e në vend që të paktën atë mund sado i madh që të jetë ta japim këtu – në vendet tona, dhe jo të largohemi nga vendi ynë”, shprehet ai.

Naseri shpreson që gjeneratat e ardhshme mos të marrin shembull nga ata, por të jenë me mendje hapur dhe më të vendosur për ta drejtuar këtë vend më nga e mira. “Sipas të gjitha gjasave, për shkak pasionit dhe ëndrrës fëmijërore, unë do t’i vazhdoj studimet në elektro inxhinieri”, përfundoi Naseri.
Nga ana tjetër, studenti në ciklin e dytë master, Umejr Muamedi ka thënë Mjekësia mbetet më e kërkuar pasi kështu do të jenë më të pavarur për të gjetur një vend pune.

“Mjekësia është profesion me të cilin mundesh të punësohesh pa e pasur të patjetërsueshme të vraposh pas partive politike, por edhe të jep mundësi të punosh edhe në shtet tjera për shkak se në shumë shtete – pranohet diploma e veçanërisht kohëve të fundit është trend që shumë mjek po ikin në Gjermani, ndërsa i vetmi kusht që kërkohet është gjuha gjermane”, thotë Umejri. Sipas tij, ky është veprim i duhur i maturantëve që zgjedhin mjekësinë duke marrë parasysh që, sipas statistikave, te ne punësimet në masë të madhe bëhen në baza partiake, farefisnore apo shoqërore. Ndryshe, për dallim nga pesë vitet e fundit ku drejtimi më i preferuar është mjekësia, para më shumë se 10 vitesh – drejtimi më i preferuar i maturantëve sipas statistikave – ishte ekonomia dhe juridiku.

Baby Boo