Masat e lehta kundër koronavirusit po i kthehen në bumerang Suedisë?


Kur Chloe Fu, 24 vjeç, doli për vrap në mbrëmje. Rrugët e Stokholmit ishin mbushur me njerëz që pinin nëpër restorante, duke shijuar ditën e parë me dielli pas një dimri të gjatë.

“Ka një mungesë totale panikut,” thotë Fu, i cili u transferua në Suedi nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. “Rrugët janë po aq të mbushura, sa pranverën e kaluar.”

Ndërsa shumë hapësira publike në të gjithë Evropën janë boshatisur – me qytetarë që largohen nga shtëpitë vetëm për sende thelbësore ushqimore ose ilaçe – jeta në Suedi po vazhdon si zakonisht. Fëmijët shkojnë në shkollë ndërsa të rriturit takohen për darkë në lokale. Vetëm të prekurit janë këshilluar të izolohen dhe disa po punojnë nga shtëpia. Megjithatë, në Suedi, ku ka 9.114 raste të konfirmuara dhe 793 njerëz kanë vdekur, ekspertët shqetësohen se masat më të lehta, mund të çojnë në një shpërthim më të rëndë të epidemisë në vendin me 10 milion banorë.

Suedia ka një shkallë relativisht të lartë të fatalitetit: deri në 8 prill, 7.68% e suedezëve që janë testuar pozitivisht me COVID-19 kishin vdekur nga virusi. Vendet fqinje, si Norvegjia dhe Danimarka, kanë nivele vdekshmërie përkatësisht 1.46% dhe 3.85%. (Shkalla e fatalitetit në SHBA është 3.21%.) Ndërsa shkalla e lartë e vdekshmërisë së Suedisë mund të jetë rezultat i numrit të pakët të testimeve në krahasim me fqinjët e saj, ekspertët thonë se politika e mosndërhyrjes e Suedisë mund të fajësohet gjithashtu.

Qeveria suedeze vazhdon të mbështesë politikën për masa të lehta. Agjensia Suedeze e Shëndetit Publik paralajmëron qytetarët të mbulojnë gojën kur kolliten ose teshtijnë dhe të lajnë duart rregullisht, por nuk kërkon masa izolimi. Më 11 mars, qeveria uli madhësinë e tubimeve të lejuara në 500 dhe në 29 Mars e uli atë në vetëm 50. Vende të tjera, si Gjermania dhe Australia, kanë ndaluar grumbullimin në grupe më të mëdha se dy persona. Të hënën, Suedia deklaroi se fluturimet e brendshme do të vazhdojnë, pavarsisht rreziqeve që sjell udhëtimi i brendshëm për përhapjen e sëmundjes.

Por shumë ekspertë në të gjithë Suedinë thonë se strategjia aktuale është e rrezikshme.

“Imuniteti i tufës nuk ka kuptim sepse ne nuk e dimë nëse mund të bëhesh imun,” thotë Nele Brusselaers, profesore e asociuar e epidemiologjisë klinike. Ajo shtoi se “ky është një virus që mund të vrasë këdo”.

Në fund të marsit, 2,300 mjekë, shkencëtarë dhe akademikë shkruan një letër të hapur për qeverinë duke kërkuar masa më të rrepta.

“Ne mendojmë se nuk ka asnjë provë shkencore për strategjinë e tyre,” thotë Cecilia Söderberg-Nauclér, një eksperte në patogjenezën mikrobike që nënshkroi letrën. Ajo thotë se qeveria nuk ka dëshirë t’i ndajë të dhënat e saj me shkencëtarët, duke bërë që ajo të besojë se strategjia e qeverisë “nuk bazohet në prova”.

Ndërsa ekspertët kanë shfaqur shqetësime për qasjen e qeverisë, shumë suedezë duket se janë në favor të saj. Sondazhet e opinioneve tregojnë se qytetarët i besojnë Autoritetit të Shëndetit Publik, 48% thonë se kanë besim shumë të lartë ose të lartë në institucion. “Është e rrallë që shoqëria suedeze ta kundërshtojë me zë të lartë qeverinë,” thotë Fu. “Edhe pse njerëzit janë të shqetësuar për humbjen e të dashurve, ata gjithashtu besojnë se qeveria po bën gjënë e duhur.”

Suedezët kanë besim tek politikanët e tyre, të cilët nga ana tjetër, u besojnë qytetarëve se do të ndjekin këshillat e tyre.

“Në Suedi, qasja ka qenë gjithmonë për të dhënë sugjerime dhe le të vendosë publiku,” thotë Johan Erik Lallerstedt, një regjisor 23-vjeçar që jeton në Stokholm. “Çfarëdo udhëzimi që qeveria mund të japë, ato janë vetëm sugjerime. Asgjë nuk është e detyruar. ”

Por Söderberg-Nauclér beson se ky shpërthim mund t’i japë fund një historie të gjatë të besimit të publikut tek qeveria. “Nëse ju vendosni jetën e njerëzve në rrezik në një shoqëri demokratike dhe nuk i ndihmoni ata, si do t’i besojë shoqëria politikanët?” thotë ajo. “Unë nuk dua të jetoj në një shoqëri që i trajton njerzit në këtë mënyrë”.

Baby Boo