Masa të forta sigurie, 6 mijë policë për referendumin


Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka paralajmëruar konferencë për media, pasi që sipas tyre nuk kanë indice se do të ketë incidente në ditën e mbajtjes së referendumit të 30-shtatorit. Njoftohet se procesin e referendumit do ta sigurojnë 6 mijë policë, transmeton Portalb.mk.

Në çdo vendvotim do të ketë nga dy policë të Ministrisë për Punë të Brendshme të cilët do të mbikëqyrin procesin e votimit për referendumin, por varësisht rrjedhës, numri mund të rritet dhe të zvogëlohet.

Duke e pasur parasysh se janë evidentuar 3800 vendvotime për referendumin pritet të angazhohen 6 mijë policë. Në kazerma, në gjendje gatishmërie do të qëndrojnë edhe njësitet speciale.

Krahas policëve, për ditën e referendumit do të angazhohen edhe prokurorë të përforcuar.

“Në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve përveç prokurorëve kujdestarë, do të ketë numër të përforcuar të prokurorëve. Kemi komunikim ditor për të gjitha aktivitetet e referendumit, për fat të mirë deri më tani atmosfera është e qetë dhe gjithçka është në rregull dhe nuk kemi ndonjë indikacion për kryerjen e veprës penale. Gjithashtu kemi komunikim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi që siç e dini në ditën e vendvotimit në të gjitha vendvotimet do të ketë përfaqësues të policisë shtetërore”, njoftuan nga Prokuroria Themelore Publike.

Nuk paralajmërohen protesta
Për të dielën në ora 19:00, disa media kanë paralajmëruar protesta, por nga MPB-ja për Portalb.mk njoftun se deri tash nuk është paralajmëruar asnjë protestë.

Letërnjoftime me procedurë të përshpejtuar
Gjatë vikendit, letërnjoftimet do të jepen me procedurë të shpejtë për shkak të referendumit i cili do të mbahet të dielën. Nga MPB kumtojnë se të gjitha kërkesat për dhënie të letërnjoftimeve pas zbatimit të procedurës ligjore, do të miratohen urgjentisht në të gjitha sektorët rajonale.

Të paraqiten parregullsitë
Adresa elektronike e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ([email protected]) është e hapur, dhe ftohen qytetarët, partitë, dhe organizatat joqeveritare, institucionet vendore dhe të jashtme, dhe të gjithë që vlerësojnë se ka parregullsi në organizimin dhe mbarëvajtjen e votimit, të paraqiten që të mund prokuroria të ndërmarrë masa. Deri më tash, një parti politike ka dorëzuar padi në Prokurori për “blerje votash”.

Pëndryshe, fushata për referendumin e 30-shtatorit ka mbaruar dje, ndërsa sot Maqedonia është në heshtja parazgjedhore. Sipas ligjit, heshtja zgjatë 48 orë, gjatë “heshtjes zgjedhore”, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale lidhur me pjesëmarrësit në zgjedhje. Shkelje e “heshtjes zgjedhore” konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë fushatë zgjedhore.

Ndryshe, referendumi do të mbahet më 30 shtator, të dielën dhe në të qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Baby Boo