Marrëveshja për emrin, kuvendi miratoi nevojën e ratifikimit


Kundër votuan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, sqaroi se pse kërkohet ratifikim i përshpejtuar i marrëveshjes, pasi që javën e ardhshme mblidhet Këshilli i Europës, ku pritet që Maqedonisë t’i hapet rruga europiane me çeljen e bisedimeve me BE-në.
“Këshilli i Europës do të mblidhet tani në qershor. Ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen më 25 dhe 26 qershor, ndërkaq Samiti i Këshillit të Europës është më 28 qershor. Këto data janë kyçe për perspektivën europiane të vendit tonë dhe kjo varet nga ratifikimi i marrëveshjes. Andaj për t’i arritur këto rezultate propozoj që kuvendi të miratojë propozim ligjin me procedurë të shkurtuar. Ju rikujtoj se me ratifikimin sa më të shpejtë të ligjit u mundësohet qytetarëve të deklarohen për të ardhmen e tyre në referendumin e vjeshtës”,– theksoi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Fjalimi i ministrit Dimitrov u përcoll me brohoritje nga deputetët e VMRO-së, duke e quajtur atë tradhtar.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, tha se bëhet fjalë për marrëveshje kapitulluese, kundërkushtetuese, pasi ndërhyhet në ndërrimin e identitetit duke shkaktuar dëme të pakthyeshme.
“Ky është kapitullim, marrëveshja është një gjenocid bashkëkohor për ekzistencën  tonë. Ai është i njëanshëm. Maqedonia pranoi ultimatum. Me marrëveshjen po imponohet emër i ri për shtetin përmes shantazhit”,– theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.
Më pas deputetët e VMRO-së lëshuan sallën pasi kryeparlamentari Xhaferi nuk u mundësoi një orë pauzë. Ligji për ratifikimin e marrëveshjes do të kthehet në seancë plenare, pasi të kalojë Komisionin për çështje evropiane, e cila ka tre ditë ta rishikojë të njëjtën. Për ratifikimin e paktit Maqedoni – Greqi do të nevojiten shumicë e thjeshtë nga deputetët e pranishëm.
Pas ratifikimit të marrëveshjes, dokumenti do t’i dorëzohet presidentit Ivanov, i cili në rast se nuk e firmos ashtu siç ka paralajmëruar, marrëveshja rikthehet për votim në kuvend me shumicë absolute prej 61 deputetësh.
Baby Boo