Maqedonia me ajrin më të ndotur në Evropë, autoritetet heshtin


Të gjithë topat e bardhë ose shkronjat “NSM” të kësaj grafike tregojnë se nuk ka të dhëna për cilësinë e ajrit në lokacione përkatëse. Për shembull nuk dihet se sa është koncentrimi i grimcave kancerogjene PM2.5 dhe PM10 në Gazi Babë, Lisiçe, matësin Manastir 2 dhe Veles 2.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se matësit po servisohen, por nuk japin afat se deri kur do të zgjasë ky servisim që matësit të futen në funksion. E deri sa autoritetet publike t’i rregullojnë matësit, Agjencia Evropiane për Mjedisin në raportin e këtij viti, e ka vendosur Maqedoninë në krye të listës si vendi me ajrin më të ndotur në Evropë.

Ndonëse ligjet e Maqedonisë për mbrojtjen e mjedisit janë të shkëlqyera, sipas standardeve evropiane, zbatimi i tyre mbetet problem i madh, konsideron kryetari i Akademisë së Shkencave Taki Fiti. Fatkeqësisht sipas tij vite me radhë po përkeqësohet cilësia e mjedisit në vend, e kompanitë në përpjekje për të rritur fitimin, harrojnë mbrojtjen e mjedisit.

“Kuptohet se bëhet fjalë për përfitim, dhe prandaj paraqitet problemi me ndotjen. Qëllimi kryesor i kompanive në ekonominë e tregut është që ta maksimizojnë përfitimin. E tani, nëse doni ta maksimizoni përfitimin, në qoftë se dikush jua lejon këtë gjë, ju nuk do të instaloni filtra për pastrimin e ajrit, nuk do të ndërtoni teknologji për pastrimin e ujit, por vetëm do t’i lëshoni lirshëm të qarkullojnë në ajër apo në ndonjë lumë”, tha Taki Fiti, Kryetar i Akademisë SË Shkencave.

Autoritetet qeveritare vazhdimisht përsërisin se zgjidhja e problemit të ndotjes nuk mund të gjendet brenda natës. Sipas sekretares shtetërore në ministrinë e mjedisit, Ana Petrovska, kjo nuk është vetëm çështje e Ministrisë, por edhe e aktorëve të tjerë, si sektori i energjetikës, Qyteti i Shkupit, planifikimi hapësinor, ai urbanistik, por dhe transporti që zgjedhin qytetarët për të lëvizur.

“Ka disa terme, në anglisht “car-sharing”, “car-pulling”, pra ne të gjithë kemi makina, por nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga rehatia jonë dhe të udhëtojmë me transport publik, ose në vend që të shkojmë në punë vetëm, në makinë mund t’i marrim edhe fqinjët të cilët shkojnë në të njëjtin drejtim. Kemi shumë masa lokale të cilat mund t’i realizojmë”, u shpreh Ana Petrovska, Sekretare Shtetërore në Ministrinë e Mjedisit.

Duke marrë shembull nga vitet e kaluara, çështja e ajrit të ndotur në Maqedoni bëhet alarmante sapo futemi në vjeshtë, për të arritur kulmin gjatë dimrit. Ngrohja me dru, përdorimi në masë i makinave dhe puna e fabrikave janë shkaktarët kryesorë të kësaj ndotjeje./TV21

Baby Boo